Trendy

Trump përshëndet paktin e mbrojtjes mes Arabisë Saudite, Turqisë dhe Pakistanit: Hap i madh dhe i guximshëm

Para 3 orë

Presidenti amerikan Donald Trump ka përshëndetur marrëveshjen e përbashkët të mbrojtjes mes Arabisë Saudite, Turqisë dhe Pakistanit, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.

 

Trump tha se është “shumë i lumtur” për nënshkrimin e marrëveshjes, duke vlerësuar se ajo dëshmon një afrim më të madh mes vendeve të rajonit.

 

“Ky është një tregues se Lindja e Mesme po bashkohet dhe se vendet më në fund do të jenë në gjendje të mbrohen në një mënyrë më kuptimplotë”, deklaroi Trump.

 

Ai përgëzoi udhëheqësit e Arabisë Saudite, Turqisë dhe Pakistanit, duke e cilësuar marrëveshjen si “një hap të madh, të guximshëm dhe të rëndësishëm”.

Ndërkohë, pakti pritet të zgjerohet edhe me Egjiptin. Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ka deklaruar se Kajro mund t’i bashkohet aleancës pasi të përfundojnë disa çështje teknike.

 

Marrëveshja bazohet në parimin e mbrojtjes kolektive, të ngjashëm me nenin 5 të NATO-s, ku një sulm ndaj një vendi anëtar mund të aktivizojë mbështetjen ushtarake, informative ose logjistike nga vendet e tjera.

Pakti parashikon gjithashtu krijimin e një sekretariati të përhershëm në Arabinë Saudite dhe forcimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, shkëmbimin e inteligjencës, stërvitjet e përbashkëta dhe koordinimin mes forcave të armatosura.

 

Fidan ka theksuar se marrëveshja ka karakter mbrojtës dhe parandalues, duke mohuar se Irani është objektivi i saj.

Trending