Trendy

Diplomatja amerikane në Dibër, në fokus turizmi dhe investimet

Para 3 orë

Dibra po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e përfaqësuesve diplomatikë, ndërsa vizitat e tyre në qytetin e vogël në perëndim të vendit po shndërrohen edhe në mundësi për promovimin e potencialeve turistike, ekonomike dhe të lidhjeve të fuqishme me diasporën.

 

Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, priti në një vizitë zyrtare të ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Nicole Varnes. Vizita u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe, përveç takimeve zyrtare, përfshiu edhe njohjen nga afër me bukuritë natyrore të Dibrës. Varnes e nisi vizitën me një kafe pranë Liqenit të Dibrës, ndërsa më pas zhvilloi një udhëtim me anije, duke parë nga afër peizazhin dhe potencialet turistike të zonës. Gjatë takimit u diskutua për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira, si dhe për mundësitë e promovimit të potencialeve turistike dhe natyrore të Komunës së Dibrës.

 

Nga Komuna e Dibrës theksojnë se janë të përkushtuar në krijimin e urave të reja të bashkëpunimit dhe në promovimin e vazhdueshëm të potencialeve të qytetit.

 

Gjatë qëndrimit në Dibër, Varnes u takua edhe me një grup përfaqësuesish të diasporës dibrane që jeton në Shtetet e Bashkuara, të cilët aktualisht ndodhen në vendlindje për pushime. Në takim u diskutua për lidhjet e fuqishme të Dibrës me SHBA-në përmes diasporës, ndërsa një prej temave kryesore ishte edhe mundësia që mërgimtarët dibranë të investojnë në vendlindjen e tyre.

 

Përfaqësuesit e diasporës shprehën interes për investime në Dibër, duke e parë lidhjen me vendlindjen jo vetëm si raport emocional, por edhe si mundësi për kontribut konkret në zhvillimin ekonomik të qytetit. Sipas Shoqatës Patriotike “Dibra”, me seli në Nju Jork, në Shtetet e Bashkuara jetojnë rreth 20 mijë dibranë, duke e bërë diasporën amerikane një prej burimeve më të rëndësishme potenciale për zhvillimin ekonomik të qytetit. (V.S)

Trending