Trendy

E Majta thotë se studentët janë dëmtuar me 6.5 milionë euro

Para 3 orë

Për tre vjet, çmimet janë rritur, kostot e jetesës janë shtuar, por mbështetja për shujtën e subvencionuar studentore ka mbetur në të njëjtin nivel. E Majta akuzon pushtetin se, duke mos e harmonizuar shumën me inflacionin, studentëve u janë shkurtuar rreth 6.5 milionë euro, ndërsa për çdo student bëhet fjalë për rreth 650 denarë më pak në muaj.

Sekretarja e përgjithshme e “Rinisë së Kuqe” të së Majtës Marija Vançeva, në një konferencë për shtyp tha se pushteti i udhëhequr nga VMRO-DPMNE prej tre vitesh nuk e respekton, sipas saj, të drejtën ligjore të studentëve për harmonizimin e vaktit të subvencionuar me inflacionin. “Edhe pse kanë kaluar tre buxhete vjetore, shuma e mjerueshme për vaktin e subvencionuar studentor ka mbetur e njëjtë, përkatësisht 140 denarë. Për tre vjet, pushteti çdo studenti i ka shkurtuar 650 denarë në muaj që ligjërisht i kanë takuar”, deklaroi Vançeva.

Sipas kësaj partie, çështja nuk ka të bëjë vetëm me shumën e një ndihme financiare, por edhe me mënyrën se si pushteti i trajton të rinjtë dhe studentët. “Kjo është dëshmi se në Maqedoni sundon një sistem gerontokracie. Orientimi i DPMNE-së ndaj elektoratit të vet i mban peng edhe pensionistët, edhe studentët, në mënyra të ndryshme”, tha Vançeva.

Nga E Majta vlerësojnë se neglizhenca ndaj standardit studentor është veçanërisht problematike në kushtet kur një numër i madh të rinjsh largohen nga vendi. “DPMNE nuk ofron absolutisht asnjë strategji për përmirësimin e standardit studentor dhe për mbajtjen e të rinjve në Maqedoni. Shohim se studentët dhe të rinjtë janë plotësisht të harruar, të injoruar nga pushteti, deri në atë masë sa u mohohen edhe të drejta të përcaktuara me ligj”, theksoi përfaqësuesja e së Majtës.

Ndërkohë, deputetët e të Majtës pritet të paraqesin një ndryshim urgjent të Ligjit për vaktin e subvencionuar studentor, me qëllim që shuma prej 140 denarësh të rritet. “Në këtë mënyrë, e Majta do të insistojë që shteti të ndalojë së trajtuari studentët si kategori politikisht e parëndësishme dhe, më në fund, të fillojë t’i respektojë të drejtat e tyre të garantuara me ligj”, tha Vançeva.

Përfaqësuesit studentorë gjatë viteve të fundit kanë kërkuar rritjen e shumës së shujtës të subvencionuar nga 140 në të paktën 150 denarë, me argumentin se një rritje e tillë do të lehtësonte barrën financiare dhe do të përmirësonte kushtet për studim.

Shujta e  subvencionuar është një formë mbështetjeje financiare nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e destinuar për blerjen e ushqimit. Studentët mund ta përdorin këtë të drejtë nga e hëna deri të shtunën, te subjektet juridike që prodhojnë, përgatisin ose shesin ushqim. Mbështetja financiare paguhet gjatë vitit akademik, ndërsa periudha e pushimeve verore nuk përfshihet në pagesë.

Trending