Trendy

Shasivari takon përfaqësuesit e Projektit të BE-së për Sundimin e Ligjit, në fokus reformat në drejtësi

Para 3 orë

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka zhvilluar një takim pune me përfaqësues të Projektit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit, ku është diskutuar bashkëpunimi i deritanishëm dhe aktivitetet e ardhshme në mbështetje të reformave në sistemin gjyqësor.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, gjatë takimit u vlerësua kontributi i projektit në proceset reformuese kyçe në vend, përmes mbështetjes ekspertizuese dhe financiare.

“Në periudhën e kaluar, projekti ka siguruar mbështetje të rëndësishme profesionale dhe financiare në proceset kryesore reformuese, përfshirë përgatitjen e ligjeve për Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publikë, Këshillin Gjyqësor dhe Ligjin për Gjykatat, si dhe në punën e Këshillit për Monitorimin e Reformave në Drejtësi”, thuhet në njoftim.

Nga Ministria bëjnë të ditur se, në kuadër të bashkëpunimit, janë përgatitur analiza dhe dokumente në përputhje me standardet evropiane, janë organizuar sesione pune, debate publike dhe punëtori, ndërsa është ofruar mbështetje edhe për zbatimin e Strategjisë Zhvillimore Sektoriale për Drejtësinë 2024–2028 dhe Planit të Veprimit.

Bashkëbiseduesit kanë rënë dakord që bashkëpunimi të intensifikohet më tej në periudhën e ardhshme, me fokus të veçantë në përmbushjen e obligimeve që dalin nga procesi i integrimit evropian.

Nga Ministria e Drejtësisë theksojnë se qëllimi i përbashkët mbetet ndërtimi i një sistemi gjyqësor modern, efikas, transparent dhe të pavarur, në përputhje me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian. (Zhurnal.mk)

Trending