Trendy

Pendarovski: Faktori ndërkombëtar pengoi ndarjen e Maqedonisë në vitin 2001

Para 3 orë

Stevo Pendarovski, i cili gjatë konfliktit të vitit 2001 shërbeu si një nga zëdhënësit e MPB-së dhe më vonë si këshilltar për siguri kombëtare i presidentëve Boris Trajkovski dhe Branko Cërvenkovski, ka folur për arsyet që çuan në mosrealizimin e idesë për ndarjen e Maqedonisë.

Në një intervistë për „Fokus“, të dhënë tre vite më parë, ish-presidenti deklaroi se kundërshtimi i faktorit ndërkombëtar ishte vendimtar për dështimin e kësaj ideje në vitin 2001.

Sipas tij, Pentagoni kishte arritur në përfundimin se shkëmbimi i popullsisë dhe territoreve nuk mund të kryhej pa gjakderdhje të madhe. Vlerësimi parashikonte se copëtimi i Shkupit do të sillte numrin më të lartë të viktimave, për shkak se në kryeqytet ndodhet përqendrimi më i madh i shqiptarëve, me mbi 100 mijë banorë.

Pendarovski kujtoi se VMRO-DPMNE e kundërshtonte në vitin 1993 anëtarësimin e vendit në OKB me referencën, ndërsa edhe sot pohon se Marrëveshja Kornizë nuk ishte e nevojshme, ndonëse vetë e nënshkroi. Ai ngriti pyetjen nëse vendi do të ishte sot shtet i pavarur po të mos kishte hyrë në OKB.

Po ashtu, ish-presidenti pyeti nëse një zgjidhje ushtarake në vitin 2001 do të kishte qenë alternativë më e mirë, në një kohë kur vendi ishte shumë pranë një lufte të përgjithshme dhe krijimit të një kufiri në Grupçin. Sipas tij, VMRO-DPMNE po përsërit sot me BE-në të njëjtin gabim që bëri në vitet 1993 dhe 2001. Duke iu referuar dëshmive të disa prej pjesëmarrësve në zhvillimet e asaj kohe, Pendarovski tha se pala tjetër nuk e kishte pranuar propozimin për ndarje, pasi nuk dëshironte të merrte një territor aq të vogël. Megjithatë, në vlerësimin e tij, qëndrimi kundërshtues i faktorit ndërkombëtar ishte përcaktues, kishte deklaruar ai për „Fokus“ në vitin 2023, përcjell Zhurnal. (INA)

Trending