Trendy

Dhjetë mënyrat kryesore se si Trump e ka dobësuar Amerikën

Para 2 orë

Donald Trump premtoi ta rikthente Amerikën në një epokë të artë fuqie dhe zhvillimi. Por mandati i tij i dytë po lë pas një vend më pak të besueshëm, më të përçarë dhe me më pak ndikim në botë…

MAGA, “Make America Great Again”, ishte premtimi i Donald Trumpit për amerikanët: rikthim i fuqisë ekonomike, sovranitetit, harmonisë së brendshme dhe ndikimit global.

Ishte një vizion veçanërisht joshës për ata që e shihnin globalizimin dhe emigracionin si kërcënime ndaj vendit.

Por ndërsa mandati i dytë po i afrohet mesit, pasojat e politikave të Trumpit duken gjithnjë e më të kundërta me premtimin e tij. Në vend të një Amerike më të fortë, po shfaqet një vend më i dobët, më i polarizuar dhe më pak i besueshëm.

1. Shkatërrimi i besimit te Amerika

Fuqia amerikane mbështetet edhe te besueshmëria. Aleatët por edhe kundërshtarët, duhet të besojnë se Uashingtoni do t’i mbajë marrëveshjet dhe angazhimet e veta. Por tërheqja nga marrëveshja bërthamore me Iranin, ndryshimet e vazhdueshme në politikat tregtare, kërcënimet ndaj aleatëve dhe kthesat e papritura në politikën e jashtme kanë krijuar përshtypjen se fjala e presidentit amerikan nuk është më një garanci. Dhe pasoja është se gjithnjë e më shumë vende po kërkojnë alternativa dhe po përpiqen të mos varen nga Uashingtoni.

2. Dobësimi i ushtrisë

Pavarësisht shpenzimeve të mëdha ushtarake, lufta me Iranin ka konsumuar rezerva armësh dhe ka mbajtur forca amerikane të angazhuara për periudha të gjata. Kapacitete të rëndësishme janë përdorur pa një përfitim të qartë strategjik, ndërsa rivalët e SHBA-së kanë pasur kohë të studiojnë dobësitë amerikane dhe të përgatiten.

Edhe më shqetësuese është përpjekja për politizimin e ushtrisë. Forcat e armatosura amerikane janë ndërtuar mbi parimin se ushtarët i shërbejnë Kushtetutës, jo një partie apo presidenti. Shndërrimi i ushtrisë në një instrument politik, e ka dobësuar pikërisht atë forcë që synohej të fuqizohej.

3. Shkatërrimi i diplomacisë

Kapacitetet diplomatike amerikane po dobësohen, pikërisht në një moment kur sfidat ndërkombëtare po bëhen më të ndërlikuara. SHBA-ja është tërhequr nga më shumë se 60 organizata ndërkombëtare, ka mbyllur konsullata e zyra jashtë vendit dhe ka lënë bosh dhjetëra vende ambasadorësh.

Ndërkohë, Kina po zgjeron praninë e saj në institucionet ndërkombëtare. Diplomacia tradicionale po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga ndërmjetës dhe të dërguar të posaçëm, por marrëdhëniet ndërkombëtare kërkojnë institucione të qëndrueshme, ekspertizë dhe vazhdimësi.

4. Humbja e epërsisë shkencore

Shkenca dhe teknologjia, kanë qenë ndër themelet e fuqisë amerikane. Por shkurtimet e mbështetjes federale për kërkimin, sulmet ndaj universiteteve dhe promovimi i skepticizmit ndaj ekspertizës shkencore po e rrezikojnë këtë avantazh.

Studiues të rinj po largohen nga SHBA-ja me ritme të larta. Nëse rrjedhja e trurit vazhdon, Amerika mund të bëhet më pak inovative dhe më pak konkurruese, ndërsa Kina përfiton nga dobësimi i një prej avantazheve më të mëdha amerikane.

5. Humbja e garës në lidhje me ekonominë e “gjelbër”

Politika e Trumpit ndaj ndryshimeve klimatike dhe energjisë së rinovueshme, është gjithashtu një gabim strategjik. Ndërsa SHBA-ja vazhdon të mbështetet te lëndët djegëse fosile, Kina po krijon epërsi në panelet diellore, energjinë e erës dhe bateritë.

Kjo nuk është vetëm një çështje mjedisore. Është një garë për industrinë dhe teknologjitë e së ardhmes. Nëse Amerika mbetet pas, ajo rrezikon të humbasë një tjetër burim të fuqisë ekonomike dhe strategjike.

6. Erozion i shtetit ligjor

Përpjekjet për ta dobësuar kontrollin ligjor mbi pushtetin presidencial, e kanë dëmtuar besimin te institucionet amerikane. Ky problem prek edhe ekonominë. Sepse investitorët dhe kompanitë e huaja, kanë nevojë për një sistem drejtësie të parashikueshëm, të paanshëm dhe transparent.

Nëse drejtësia shihet si e politizuar dhe ligji si një instrument që mund të përdoret kundër kundërshtarëve, Amerika humbet një nga avantazhet që e ka bërë prej kohësh një destinacion të besueshëm për biznesin dhe investimet.

7. Dëmtimi i besimit te zgjedhjet

Demokracia kërkon që qytetarët të besojnë te procesi zgjedhor dhe të pranojnë rezultatin. Trump e ka dëmtuar këtë besim që nga zgjedhjet e vitit 2020, duke pretenduar pa prova se ato ishin manipuluar. Përpjekjet për të përmbysur rezultatin, presioni ndaj zyrtarëve dhe kundërshtimi i certifikimit të votave krijuan një precedent të rrezikshëm.

Nëse humbësit refuzojnë rezultatin e zgjedhjeve, sistemi demokratik e humbet legjitimitetin dhe shoqëria bëhet më e ndjeshme ndaj teorive konspirative.

8. Braktisja e kontrolleve kushtetuese

Pushteti i presidencës është zgjeruar prej kohësh, por gatishmëria e Trump për të anashkaluar kontrollet dhe ekuilibrat kushtetues është veçanërisht shqetësuese. Një president që mund të veprojë pa miratimin e Kongresit apo pa mbështetje të gjerë publike, ka më shumë gjasa të ndërmarrë politika të rrezikshme. Dobësimi i institucioneve, e bën Amerikën më pak të parashikueshme për aleatët dhe më pak të besueshme për investitorët.

9. Vulgarizimi i debatit politik

Trump ka kontribuar fuqishëm në ashpërsimin e diskursit politik amerikan. Fyerjet, akuzat ndaj kundërshtarëve si kriminelë apo tradhtarë dhe retorika agresive, kanë zëvendësuar shpesh debatin mbi problemet reale.

Kjo mënyrë komunikimi është përhapur edhe te mbështetësit e tij dhe ka thelluar polarizimin. Çështjet komplekse janë kthyer në beteja personale, ndërsa politika amerikane po bëhet gjithnjë e më pak e aftë të prodhojë kompromis dhe vendime të arsyeshme.

10. Shkatërrimi i fuqisë së butë

Të gjitha këto zhvillime, po prodhojnë një pasojë më të madhe: rënien e fuqisë së butë amerikane. Për dekada, SHBA-ja ka qenë e fuqishme jo vetëm për shkak të ushtrisë dhe ekonomisë, por edhe sepse pjesa tjetër e botës admironte institucionet, demokracinë dhe aftësinë amerikane për të udhëhequr.

Sot ky imazh po zbehet. Politikat e Trumpit kanë distancuar edhe vende tradicionalisht pro-amerikane, ndërsa vendimmarrja e paparashikueshme dhe mbështetja te njerëz të pakualifikuar kanë dëmtuar imazhin e kompetencës amerikane.

Mandati i dytë i Trumpit nuk është pa disa rezultate të favorshme. Ai ka ndihmuar figura pro-Trumpit të fitojnë zgjedhje, ka siguruar disa lëshime ekonomike nga partnerët dhe ka shmangur një incident të madh diplomatik në një samit të NATO-s.

Por këto përfitime janë të vogla krahasuar me koston më të gjerë. Në fund të mandatit, familja dhe rrethi i Trumpit mund të jenë më të pasur, ndërsa Amerika rrezikon të jetë më e dobët, më e përçarë dhe më pak e respektuar.

Nëse premtimi ishte “Make America Great Again”, bilanci deri tani tregon një paradoks të hidhur. Politikat e Trumpit, mund të jenë duke e larguar Amerikën pikërisht nga madhështia që ai premtoi t’i rikthente./Përshtati “Pamfleti” nga “Foreign Policy”.

Trending