Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari i është kundërpërgjigjur kritikave të deputetit dhe liderit të Levicës, Dimitar Apasiev, lidhur me takimin e tij me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese.
Shasivari, duke iu referuar debatit për ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, thotë se kritika ndaj veprimeve të institucioneve duhet të bazohet në Kushtetutë dhe ligje, e jo në “anekdota nga korridoret juridike”.
Sipas tij, Kushtetuta nuk e përcakton Gjykatën Kushtetuese si “pushtet të katërt”, por si organ të veçantë dhe të pavarur që mbron kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë.
“Takimi nuk është vendim. Biseda nuk është urdhër. Dialogu nuk është ndikim”,thekson Shasivari, duke shtuar se Gjykata Kushtetuese vendos në mënyrë të pavarur dhe se Ministri i Drejtësisë nuk mund t’i urdhërojë asaj se si të vendosë.
Shasivari e cilëson si të gabuar barazimin e dialogut institucional me ndërhyrjen në kompetencat e institucioneve.
“Ky nuk është izolim institucional. Ndarja e pushtetit nënkupton ndarje të kompetencave, pavarësi, por edhe mekanizma të kontrollit dhe bashkëpunimit”,shprehet ai.
Ministri i Drejtësisë i është përgjigjur edhe toneve personale të debatit, duke theksuar se kritika politike është legjitime, por fyerjet nuk përbëjnë argument juridik.
Në fund, Shasivari e përmbledh qëndrimin e tij me një mesazh të drejtpërdrejtë:
“Kushtetuta është mbi të gjithë ne.”
Ai nënvizon se qëndrimi i tij mbetet i qartë: ndarje e pushtetit – po; Gjykatë Kushtetuese e pavarur – pa kushte; vendimmarrje e pavarur – e pacenueshme; dialog institucional i domosdoshëm; ndërhyrje në vendimet gjyqësore – kurrë.
Debati vjen në një kohë kur Apasievi ka ngritur vazhdimisht çështjen që lidhen me veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimet e saj.











