Trendy

“Për mua, vetëm ti ke rëndësi” – publikohen letrat e asistentes së Trumpit, ngrihen dyshime për afërsinë mes tyre

Para 3 orë

Një seri letrash personale të asistentes së presidentit amerikan Donald Trump, Natalie Harp, kanë nxitur debat në Shtëpinë e Bardhë për shkak të gjuhës tejet emocionale dhe personale të përdorur në to.

Në disa prej letrave, Harp i drejtohet Trumpit me shprehje si “Për mua, vetëm ti ke rëndësi” dhe i shkruan se dëshiron të qëndrojë pranë tij e të bisedojnë edhe për çështje që nuk lidhen me punën.

Në një tjetër mesazh, ajo i kërkon presidentit që ta kritikojë kur gabon, duke shkruar se askush nuk e njeh apo nuk kujdeset për të më shumë se ai.

Letrat raportohet se janë shkruar gjatë ose menjëherë pas udhëtimit të Trumpit në Skoci dhe Irlandë në maj të vitit 2023 dhe janë publikuar të plota nga “Daily Beast”. Disa pjesë të tyre ishin bërë publike më herët nga autori Michael Wolff.

Harp konsiderohet një prej ndihmëseve më të afërta të Trumpit. Ajo merret me materialet që i paraqiten presidentit dhe raportohet se ndihmon edhe në përgatitjen e disa postimeve të tij në “Truth Social”.

Publikimi i letrave ka rikthyer vëmendjen te ndikimi i Harpit në rrethin e ngushtë të presidentit. Wolff ka deklaruar se burime brenda ekipit të Trumpit kishin shprehur shqetësim për afërsinë e saj me të.

Shtëpia e Bardhë, ndërkohë, e ka mbrojtur Harpin, duke e përshkruar si një prej ndihmëseve më besnike dhe më të përkushtuara të presidentit.

Pavarësisht toneve personale të letrave, deri më tani nuk është paraqitur ndonjë provë që dëshmon për një marrëdhënie romantike mes Trumpit dhe Harpit.

Trending