Kampioni olimpik në vitin 1984 dhe nënkampion olimpik në vitin 1988, legjenda e mundjes Shaban Tërstena, ka përgëzuar dy mundësit shqiptarë që përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut dhe kanë arritur në finalen e Lojërave Mesdhetare – “Taranto 2026”.
“Sot kemi një arsye të madhe për urime dhe për të qenë krenarë.
Sot, dy mundësit shkupjanë, Rexhep Hajdari dhe Fati Vejseli, luftuan për veten, për familjet e tyre dhe për të gjithë ata që besojnë në sportin tonë.
Pas fitoreve të mëdha në gjysmëfinale, Rexhepi dhe Fati janë dy sportistët e parë nga Maqedonia që janë kualifikuar në finalen e Lojërave Mesdhetare!
Nesër është dita e madhe ,dita kur të dy do të luftojnë për medaljen e artë!
Ky është një sukses i madh për sportin tonë dhe për vendin tonë, dhe një dëshmi e fuqishme se puna, sakrifica, disiplina dhe guximi i një kampioni shpërblehen me suksese të mëdha.
Fati dhe Rexhep, urime për finalen!
Nesër luftoni me zemër, me shpirt dhe me të gjitha forcat tuaja për të arritur te medalja e artë – medalja e 12-të e artë në mundje për Maqedoninë!
Nesër të gjithë do të jemi me ju, por ju jeni ata që duhet të na gëzoni edhe më shumë dhe të na bëni krenarë me medaljet e arta!
Luftoni deri në sekondën e fundit, ashtu siç luftuat sot për të arritur në finale. Mos u dorëzoni kurrë!
Dhe një urim i veçantë nga zemra shkon edhe për kryetarin e klubit më të suksesshëm, Imer Kadriun, i cili me përkushtimin dhe punën e tij ka dhënë një kontribut të madh në sukseset e këtyre sportistëve.
Urime, Imer! Kjo është edhe krenaria jote!
Nga Kampioni Olimpik,Sh.T,”, – ka shkruar Tërstena në profilin e tij në facebook.











