Trendy

Irani kërkon rrugëdalje diplomatike nga ngërçi me SHBA-në

Para 2 orë

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka mbrojtur memorandumin e mirëkuptimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si rrugën më të mirë për t’i dhënë fund situatës së tensionuar mes dy vendeve, sipas AP.

Në një fjalim të publikuar sot nga agjencia shtetërore IRNA,  presidenti Pezeshkian tha se Irani duhet të dalë nga gjendja aktuale e “as luftë, as paqe”.

Sipas presidentit iranian, anëtarët e Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare e konsiderojnë memorandumin si marrëveshjen më të mirë të mundshme, duke pasur parasysh dinjitetin, mençurinë dhe interesin kombëtar të Iranit.

Presidenti Pezeshkian theksoi se marrëveshja nuk përmban asnjë element që mund të konsiderohet si kapitullim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Memorandumi u nënshkrua nga presidenti amerikan Donald Trump në qershor dhe parashikonte një afat prej 60 ditësh për përfundimin e luftës me Iranin dhe arritjen e një marrëveshjeje për programin bërthamor iranian.

Ky afat përfundoi javën e kaluar, por Uashingtoni dhe Teherani ende nuk kanë arritur kompromis për çështjet kryesore.

Një nga pengesat më të mëdha mbetet Ngushtica e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe mallrave.

Çështja e rihapjes së plotë të ngushticës është bërë një pikë kyçe e negociatave dhe deri tani nuk ka shenja të një marrëveshjeje mes palëve. /atsh

Trending