Opinion nga David M. Weinberg
Nëse Izraeli nuk vendos vija të kuqe konkrete në Siri dhe në Mesdheun Lindor, ushtria dhe marina turke do të afrohen edhe më tej drejt kufijve veriorë dhe detarë të Izraelit. Izraeli mund ta gjejë veten përballë tankeve turke në Lartësitë e Golanit dhe fregatave turke pranë brigjeve të Cezareas. Ky është paralajmërimi që dëgjova këtë javë nga një zyrtar shumë i lartë i inteligjencës izraelite.
Paralajmërimi i bën jehonë alarmit të shprehur në raportin e Komisionit Nagel të vitit 2025, i cili vlerësoi buxhetin e sigurisë së Izraelit dhe rritjen e kapaciteteve të tij ushtarake, lidhur me përpjekjet e Turqisë për krijimin e një rendi rajonal islamist-xhihadist me ambicie hegjemoniste të ngjashme me ato të epokës osmane. Izraeli duhet të jetë i përgatitur, paralajmëroi raporti i Komisionit, për një përballje të drejtpërdrejtë me Ankaranë, si dhe me grupet dhe ushtritë siriane të lidhura me Turqinë. “Rreziku nga Siria mund të shndërrohet në diçka edhe më të rrezikshme se kërcënimi iranian”, thuhej në raport.
Kjo situatë kërcënuese shpjegon sulmin ajror izraelit të disa ditëve më parë ndaj një baze ajrore pranë Idlibit, në veri të Sirisë, ku, sipas të gjitha gjasave, turqit po instalonin një sistem radarësh dhe mbrojtjeje ajrore që synonte të pengonte operacionet e Forcave Ajrore Izraelite në veri. Sulmi izraelit i dërgoi një sinjal të qartë presidentit turk me prirje radikale islamiste, Rexhep Taip Erdogan, dhe vasalit të tij sirian, ish-terroristit të ISIS-it Ahmed al-Shara (i njohur edhe si Muhamed al-Julani), që të tërhiqen.
Duhet kuptuar se Erdogani është një antisemit i bindur, i shkollës së vjetër, i cili i konsideron si të vërteta mitet klasike antisemite, si “Protokollet e Pleqve të Sionit” (sipas të cilave hebrenjtë kontrollojnë konglomeratet globale bankare dhe mediatike). Ai i urren me të vërtetë hebrenjtë dhe izraelitët dhe kërkon hapur të udhëheqë një koalicion panislamik për të mposhtur Izraelin, ndërkohë që mbetet anëtar i NATO-s. Erdogani po konsolidon një aleancë sunite të Arabisë Saudite, Pakistanit dhe Katarit (me njëfarë roli edhe të Egjiptit), e cila mbart një frymë të fortë antiamerikane dhe antiizraelite. Erdogani madje ka hartuar një model kushtetute për një konfederatë islamike që synon të zëvendësojë NATO-n.
Sipas presidentit amerikan Donald Tramp, ushtria turke ishte e përgatitur t’i bashkohej luftës së Iranit kundër Izraelit këtë vit, derisa Trampi i “kërkoi” Erdoganit të mos e bënte këtë. Por kjo nuk e ka penguar Erdoganin të rreshtohet me Rusinë kundër Perëndimit, në mbrojtje të Iranit dhe në mbështetje të ekonomisë dhe përpjekjeve ushtarake iraniane, si dhe të strehojë seli ushtarake të Hamasit. Ndërkohë, ai u kërkon europianëve naivë përfitime të ndryshme dhe lobon te miku i tij Tramp për motorë për avionin luftarak të prodhimit turk, si dhe për avionë luftarakë amerikanë të avancuar F-35.
Trampi dhe i dërguari i tij i posaçëm për Turqinë dhe Sirinë, Tom Barrak (i cili tregohet jashtëzakonisht i kujdesshëm ndaj Erdoganit dhe al-Sharas), nuk kanë thënë asgjë për afrimin e tepruar të Erdoganit me Rusinë, Kinën dhe Iranin; pushtimin afatgjatë ushtarak të Qipros Veriore dhe Sirisë veriore; si dhe luftën diplomatike dhe ushtarake që ai po zhvillon, për momentin kryesisht në prapaskenë, kundër Izraelit.
Izraeli nuk e ka shpallur dhe nuk dëshiron ta konsiderojë Turqinë si vend armik, por nuk mund të shpërfillë zgjerimin ushtarak të Turqisë dhe zgjerimin e saj, madje, marrjen praktikisht nën kontroll të Sirisë dhe përpjekjen për ta shtrirë praninë ushtarake deri në kufijtë e Izraelit.
Sulmi izraelit i kësaj jave kishte për qëllim të zmbrapste ndërhyrjen ajrore turke dhe Izraeli me siguri do të godasë përsëri nëse Erdogani këmbëngul në zgjerimin e pranisë së tij ushtarake në Siri ose përpiqet të rindërtojë forcën ajrore siriane. Por kërcënimi më i afërt vjen nga marina e e madhe e Turqisë, pasi Erdogani kërcënon vazhdimisht me luftë kundër Izraelit për shkak të fushave të gazit në Mesdhe. Marina turke ka dhjetëra fregata, shkatërrues dhe mjete amfibe për zbarkim, si dhe 12 nëndetëse. Aktualisht ajo po ndërton edhe gjashtë nëndetëse të tjera, së bashku me 24 fregata dhe shkatërrues të rinj. Për krahasim, marina izraelite, e cila është tepër e vogël, ka 15 anije raketore, gjashtë nëndetëse dhe rreth një duzinë anijesh patrulluese. Izraeli së shpejti do të shtojë edhe helikopterë detarë në arsenalin e tij mbrojtës.
Pra, është e pritshme që Komisioni Nagel rekomandoi një rritje masive të kapaciteteve të marinës izraelite si një nga shpenzimet prioritare.
Për momentin, NATO nuk mund të përballojë një shkëputje të plotë me një vend që kontrollon Ngushticat Turke dhe që strehon armë bërthamore amerikane. Por, të paktën, ndaj Turqisë duhet të zbatohet një “standard reciprociteti”. Kontratat me atë vend duhet të lidhen me politikën e tij të jashtme dhe sjelljen ushtarake.
Ndaj Turqisë duhet të gjejnë zbatim edhe standardet për të drejtat e njeriut. Erdogani ka burgosur më shumë gazetarë, gjyqtarë, gjeneralë dhe akademikë se çdo vend tjetër në botë, përfshirë Kinën. Ai po ndërton 40,000 qeli të reja burgimi për të përballuar mbipopullimin. Ai po krijon një sistem autoritar që i përshtatet ambicieve të tij perandorake.
Erdogani duhet të vihet në vendin e tij dhe politikat e tij jashtëzakonisht agresive në politikën e jashtme dhe atë ushtarake duhet të kufizohen. Udhëheqësit amerikanë dhe europianë që i japin përparësi stabilitetit në rajon duhet të kundërshtojnë planet e tij tepër ambicioze dhe agresive. Ata nuk duhet ta censurojnë Izraelin kur ky i fundit vepron nga nevoja për ta zmbrapsur Erdoganin nga pragu i konfliktit.
Duhet kujtuar që tre vitet e fundit të sulmeve shkatërruese nga armiqtë ndaj Izraelit u dhanë izraelitëve një mësim të rëndësishëm – nevojën për të qëndruar në mbrojtje me gjallëri, duke përfshirë epërsinë strategjike ndaj armiqve të afërt dhe të largët. Për rrjedhojë, Izraeli nuk do t’u rikthehet politikave të frenimit të dekadave të fundit, të cilat i jepnin përparësi përmbajtjes dhe diplomacisë ndaj dobësimit të aftësive të armikut dhe fitores ushtarake.
Kjo qasje u mundësoi armiqve të zhvillonin kapacitete sulmuese nën mbulesën e kohës së fituar përmes diplomacisë, të cilën disa zyrtarë perëndimorë gabimisht e quanin periudha “stabiliteti”. Kjo qasje iu përplas në fytyrë Izraelit, me terror dhe pushtime nga Bregu Perëndimor, Gaza, Siria dhe Libani, si dhe me përparimin e programit bërthamor të Iranit drejt përfundimit dhe zhvillimin e arsenalit iranian të raketave balistike deri në një nivel që mund ta çonte Izraelin pranë shkatërrimit. Mësimet që ka nxjerrë Izraeli vlejnë edhe për Turqinë.
Nga Idlibi deri në Stamboll, Izraeli do të sulmojë, nëse është e nevojshme, dhe jo thjesht të mbrohet. Ai do të këmbëngulë për krijimin e zonave tampon pa xhihadistë përgjatë kufijve të tij me Libanin dhe Sirinë. Nuk do të tolerojë vendosjen pranë kufijve të tij të sistemeve strategjike të armëve që prishin ekuilibrin dhe as përparimin e ushtrive dhe marinave të huaja kërcënuese.
Autori është bashkëpunëtor i lartë drejtues në Institutin Misgav për Sigurinë Kombëtare dhe Strategjinë Sioniste, me seli në Jerusalem.











