Trendy
Screenshot

“Na keni lënë në rrugë”, telefonata e Adem Jasharit që ia bëri Ali Ahmetit nga Tirana (Video)

Para 1 orë

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti, ka rrëfyer një bisedë telefonike që, sipas tij, e kishte zhvilluar me komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin, në fillim të viteve ’90.

Në emisionin “Debat Plus”, në ciklin “Dosjet”, Ahmeti tha se Jashari e kishte telefonuar nga Tirana dhe i ishte ankuar për mungesën e mbështetjes.

“Unë kam pasur vetëm një bisedë të shkurtër me Adem Jasharin, që më paraqitet prej Tiranës. Na thotë: ‘Na keni lënë në rrugë’”, rrëfeu Ahmeti.

Ai tha se biseda kishte ndodhur përmes telefonit, me shumë gjasë në vitin 1992, dhe se deri atëherë nuk e kishte takuar fizikisht Jasharin.

Sipas Ahmetit, pas kësaj kishte vazhduar bashkëpunimi me bashkëluftëtarët e Jasharit, duke përmendur Sami Lushtakun, Ilaz Kodrën, Abedin Rexhën dhe Rafet Ramën.

Ahmeti foli edhe për mbledhjen në Arau të Zvicrës, ku, sipas tij, u vendos që njësitë e ndryshme të rezistencës të vepronin nën një emër të përbashkët – Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Të gjitha njësitet, nga Rrafshi i Dukagjinit, Drenica, Llap, Rrafshi i Kosovës, duhej të vepronin nën një mekanizëm, Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha ai.

Ai përmendi edhe raste që, sipas tij, ndikuan në përcaktimin e strategjisë së rezistencës, përfshirë një incident me eksploziv në Prizren dhe rastin e Nait Hasanit, për të cilin tha se ishte përgatitur të hynte me bomba në Komitetin Qendror në Beograd.

Në fund, Ahmeti vlerësoi rolin e NATO-s, SHBA-së dhe vendeve evropiane në përfundimin e luftës në Kosovë.

“Jemi mirënjohës një jetë të jetëve NATO-s, Amerikës, vendeve të Bashkimit Evropian, për këtë solidaritet”, tha Ahmeti.

Shiko videon:

Trending