Trendy

Irani: Tërësisht të përgatitur për t’iu kundërpërgjigjur sanksioneve amerikane

Para 2 orë

Irani deklaroi sot se është “tërësisht i përgatitur” për të përballuar zgjerimin e sanksioneve ekonomike amerikane, ndërsa Uashingtoni ka njoftuar një paketë të re masash që synojnë të izolojnë Teheranin nga ekonomia globale, raportoi BBC.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent e cilësoi fushatën e re, si një nga ofensivat më të mëdha financiare të SHBA-së ndaj Iranit.

Sipas tij, çdo shtet që vazhdon bashkëpunimin financiar me Teheranin rrezikon të izolohet, ndërsa bankat dhe kompanitë që bëjnë biznes me Iranin, mund të përballen me të njëjtën pasojë.

Masat e reja prekin veçanërisht sektorët e teknologjisë, aseteve digjitale, arit, aviacionit dhe transportit detar.

SHBA-ja ka vendosur gjithashtu sanksione ndaj rreth 60 individëve, kompanive dhe anijeve.

Ministri iranian i Ekonomisë, Ali Madanizadeh tha se Teherani ka një plan 2-vjeçar për t’u përballur me situatën dhe se sanksionet do të përfundojnë në “një tjetër humbje” për SHBA-në.

Ai tha se Irani pret që partnerët e tij tregtarë, të vazhdojnë marrëdhëniet ekonomike me vendin.

Kina, një nga vendet partnere kryesore tregtare të Iranit, deklaroi se sanksionet dhe presioni ekonomik nuk ndihmojnë në zgjidhjen e konfliktit dhe se Pekini do të mbrojë interesat e tij.

Një tjetër pikë kritike është Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës zakonisht kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit në botë.

Irani ka paralajmëruar se mund të ndërpresë eksportet e naftës nga rajoni, nëse konflikti vazhdon, ndërsa ka paralajmëruar anijet të mos kalojnë nëpër ngushticë pa leje.

Masat amerikane vijnë në një kohë kur lufta ka shkaktuar rritje globale të çmimeve të naftës.

Çmimi i naftës “Brent” arriti dje në rreth 92 dollarë fuçia.

Ekspertët dyshojnë se sanksionet e reja do të kenë ndikim të menjëhershëm të madh, pasi rreth 90% e naftës iraniane eksportohet drejt Kinës, e cila historikisht nuk i ka zbatuar sanksionet amerikane ndaj Teheranit.

Irani tashmë, përballet me sanksione të rënda amerikane.

SHBA-ja u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 në vitin 2018, gjatë administratës së Donald Trump, dhe rivendosi sanksionet ndaj Iranit. përcjell Zhurnal.mk .

Trending