Gjashtë raste të reja të etheve të Nilit Perëndimor janë regjistruar në vend brenda një dite, duke e çuar në 50 numrin e përgjithshëm të rasteve të konfirmuara.
Pesë nga të infektuarit e rinj janë nga Rajoni i Shkupit. Tre janë banorë të Gazi Babës, mbi 70 vjeç, një pacient është nga Zelenikova dhe është 26 vjeç, ndërsa një tjetër nga Aerodromi, 59 vjeç.
Është konfirmuar edhe rasti i parë në Kumanovë.
Sipas informacioneve nga Qendra e Shëndetit Publik në Kumanovë, bëhet fjalë për një burrë 65-vjeçar nga një zonë periferike, i cili para se të sëmurej nuk kishte udhëtuar jashtë vendit. Ai është shtruar në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup.
Pothuajse gjysma e të prekurve janë të hospitalizuar në Klinikën Infektive për shkak të formës së rëndë neuroinvazive të sëmundjes, e cila mund të shkaktojë inflamacion të trurit dhe cipave të trurit.
Deri më tani, pesë persona kanë humbur jetën nga virusi i Nilit Perëndimor.
Ethet e Nilit Perëndimor janë infeksion viral i shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Te njerëzit përcillet nëpërmjet pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Nga format e rënda të sëmundjes më të rrezikuar janë personat mbi 60 vjet, personat me sistem imunitar të dobësuar dhe personat me gjendje kronike mjekësore.
Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.
Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.
Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.











