Mes 1.000 dhe 1.100 hektarë me duhan dhe luledielli janë dëmtuar nga breshëri dhe erërat e fuqishme që përfshinë Dollnenin dhe zonat përreth.
Breshëri, në disa raste me madhësi sa një arrë, së bashku me erërat e forta, ka shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi. Në disa parcela, prodhimi i duhanit është shkatërruar deri në 100 për qind.
Dëme janë shkaktuar edhe në sipërfaqet e mbjella me misër dhe speca.
Më të prekura janë tokat bujqësore në Debresht, Ropotovë, Zapolzhan, Llazhan dhe Novosellan, ndërsa gjendja më e rëndë raportohet në Novosellan dhe Zapolzhan, ku disa parcela me duhan janë shkatërruar plotësisht.
Kryetari i Lidhjes së Shoqatave të Duhanprodhuesve, Kire Risteski, tha se disa sipërfaqe janë përmbytur, ndërsa bimët e duhanit janë rrëzuar dhe dëmtuar rëndë.
Fermerët frikësohen se do të përballen me humbje të mëdha financiare, pasi shumica e tyre nuk e kanë të siguruar prodhimin.
Shoqatat e duhanprodhuesve paralajmëruan se do të kërkojnë rikthimin e mundësisë që, gjatë nënshkrimit të kontratave për grumbullimin e duhanit, fermerët të mund të lidhin njëkohësisht edhe kontrata për sigurimin e prodhimit.











