Administrata e presidentit Donald Trump po bën një tjetër përpjekje për të rritur në mënyrë drastike koston e punësimit të profesionistëve të huaj në Shtetet e Bashkuara, duke propozuar një tarifë prej 103,265 dollarësh për aplikimet e reja për vizat H-1B.
Sipas CNN, propozimi u publikua të hënën dhe vjen vetëm disa muaj pasi një gjykatës federal rrëzoi përpjekjen e mëparshme të Trump për të vendosur një tarifë të ngjashme prej 100 mijë dollarësh.
Këtë herë administrata po përpiqet ta vendosë tarifën përmes një procedure të re rregullatore. Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare, DHS, propozon që tarifa prej 103,265 dollarësh të paguhet në momentin e paraqitjes së kërkesës dhe t’u shtohet tarifave të tjera ekzistuese.
Vizat H-1B janë një nga rrugët kryesore përmes të cilave kompanitë amerikane punësojnë profesionistë të huaj me kualifikime të larta, veçanërisht në teknologji, inxhinieri, financë dhe profesione të tjera të specializuara.
Programi parashikon 65 mijë viza në vit, ndërsa 20 mijë vende të tjera rezervohen për të huajt që kanë përfunduar master ose një nivel më të lartë studimesh në universitetet amerikane. Viza zakonisht jep status për tre vjet dhe mund të rinovohet edhe për tre vjet të tjera.
Deri tani kostoja ishte shumë më e ulët. CNN raporton se tarifa ishte rreth 3 mijë dollarë, ndërsa me propozimin e ri vetëm tarifa shtesë do të kalonte 103 mijë dollarë.
Administrata Trump argumenton se programi H-1B është përdorur në mënyrë të tepruar dhe se kompanitë kanë pasur mundësi të punësojnë punonjës të huaj në vend që të rekrutojnë amerikanë.
Sipas administratës, tarifa e re do të krijonte një nxitje të fortë financiare që kompanitë të punësojnë dhe të trajnojnë punonjës amerikanë dhe t’i drejtohen tregut ndërkombëtar vetëm kur kanë nevojë për profesionistë që nuk i gjejnë në SHBA.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare jep edhe një tjetër argument. Paratë e mbledhura do të përdoren për të mbuluar një pjesë të kostove të sistemit amerikan të emigracionit, përfshirë shqyrtimin e aplikimeve, kontrollet kundër mashtrimit dhe të sigurisë kombëtare, gjykatat e emigracionit, procesimin konsullor dhe zbatimin e standardeve të punës.
DHS përllogarit se tarifa mund të sjellë rreth 8.8 miliardë dollarë në vit, duke u bazuar në rreth 85 mijë aplikime H-1B që i nënshtrohen kufirit vjetor.
Tarifa nuk do të zbatohej për të gjitha rastet H-1B. Nga ajo do të përjashtoheshin aplikimet që nuk i nënshtrohen kufirit vjetor, përfshirë ato të paraqitura nga disa universitete, institucione kërkimore jofitimprurëse dhe organizata qeveritare kërkimore.
Por masa nuk ka hyrë ende në fuqi. Bëhet fjalë për një propozim rregullator dhe publiku ka 30 ditë kohë për të paraqitur komente. Procesi mund të zgjasë disa muaj dhe një rregull përfundimtar mund të përballet përsëri me kundërshtime në gjykata.
Pikërisht gjykatat i kanë krijuar administratës Trump pengesën kryesore në përpjekjen për tarifën H-1B. Trump kishte vendosur më parë një tarifë prej 100 mijë dollarësh, por një gjykatës federal e shpalli të paligjshme dhe e bllokoi administratën që ta mblidhte atë.
Zhvillimi i ri ka interes edhe për shtetasit shqiptarë që kërkojnë të punojnë në Shtetet e Bashkuara në profesione të specializuara.
Shqiptarët mund të përfitojnë nga kategoria H-1B dhe Departamenti amerikan i Shtetit e liston atë mes kategorive të vizave të disponueshme për shtetasit e Shqipërisë. Sipas tabelës aktuale të reciprocitetit, një vizë H-1B e lëshuar për një shtetas shqiptar mund të ketë hyrje të shumëfishta dhe vlefshmëri deri në 36 muaj.
Tarifa e propozuar prej 103,265 dollarësh nuk është një tarifë që do t’i kërkohej drejtpërdrejt çdo shqiptari që paraqitet në Ambasadën Amerikane për vizë. Ajo lidhet me peticionin H-1B të paraqitur nga punëdhënësi në SHBA, pra me kompaninë që kërkon të punësojë profesionistin e huaj.
Megjithatë, një kosto prej më shumë se 100 mijë dollarësh për një punësim të ri mund ta bëjë shumë më të shtrenjtë për një kompani amerikane rekrutimin e një profesionisti nga Shqipëria apo nga një vend tjetër.
Lëvizja e re e administratës Trump vjen vetëm pak ditë pas një tjetër zhvillimi të rëndësishëm për vizat amerikane, që preku drejtpërdrejt Shqipërinë.
Një gjykatë federale në Nju Jork rrëzoi politikën e administratës Trump që kishte pezulluar përpunimin e vizave të emigrimit për shtetasit e 75 vendeve, mes të cilave ishte edhe Shqipëria. Gjykatësja federale Jeannette Vargas vendosi se politika tejkalonte autoritetin që ligji amerikan i jepte administratës.






