Dy persona janë vrarë të enjten gjatë një sulmi në një shkollë në Gosen-Neu Zittau, në landin Brandenburg, pranë Berlinit. Policia ka arrestuar një 19-vjeçar të dyshuar për ngjarjen, ndërsa forca të shumta policore dhe ekipe të emergjencës rrethuan kampusin.
Ngjarja ndodhi në kompleksin privat Docemus Schulen, në distriktin Oder-Spree. Sipas të dhënave të deritanishme, një nga viktimat është një nxënëse 18-vjeçare, ndërsa viktima e dytë është një burrë 30-vjeçar.
Mediat lokale gjermane raportojnë se 19-vjeçari i arrestuar ishte ish-i dashuri i 18-vjeçares. Burimet e cituara nga Reuters thonë se 30-vjeçari humbi jetën kur u përpoq të ndërhynte dhe të ndalonte sulmin. Këto hollësi nuk ishin konfirmuar ende zyrtarisht nga policia në orët e para pas ngjarjes.
Policia mori telefonatat e para për ndihmë rreth orës 13:45. Menjëherë pas kësaj, në shkollë u dha alarmi dhe në zonë mbërritën forca të shumta policore, ambulanca dhe zjarrfikës. Në operacion u angazhuan edhe dy helikopterë të emergjencës, ndërsa policia nga Berlini ndihmoi forcat lokale.
Autoritetet e izoluan një pjesë të madhe të kampusit dhe nisën sigurimin e zonës. Prindër të shumtë u mblodhën pranë shkollës për të marrë fëmijët e tyre, ndërsa prania e madhe e mjeteve të emergjencës shkaktoi probleme edhe në qarkullimin përreth.
Kompleksi ku ndodhi sulmi përfshin një gjimnaz, një shkollë të mesme dhe një shkollë të mesme profesionale, të vendosura në të njëjtin kampus. Rreth 400 nxënës ndjekin mësimin aty. Policia ka konfirmuar arrestimin e një të dyshuari dhe faktin se bëhet fjalë për një ngjarje të rëndë të dhunshme, por nuk ka dhënë ende një version të plotë për mënyrën se si u krye sulmi.











