Trendy

Idrizi: Sektorin privat e duam për cilësi, sektorin publik për rehati

Para 2 orë

Valon Idrizi, funksionar i Aleancës për Shqiptarët, ka reaguar për raportin e shoqërisë ndaj sektorit privat dhe atij publik, duke e cilësuar si një paradoks faktin që qytetarët preferojnë shërbimet private, por për punësim vazhdojnë të synojnë sektorin publik, përcjell tetova1

Sipas Idrizit, qytetarët kur kanë mundësi zgjedhin shkolla dhe klinika private, ndërsa për një shërbim më cilësor preferojnë kompanitë private. Megjithatë, kur bëhet fjalë për punësim, sektori publik vazhdon të shihet si “një vend i sigurt në shtet”.

Ai thekson se sektori privat ka avancuar përmes rritjes së pagave, përmirësimit të kushteve të punës dhe investimeve në teknologji, trajnim dhe zhvillim profesional. Ndërkohë, sipas tij, në shoqëri ende ekziston mentaliteti se sektori privat është vendi ku punohet, ndërsa sektori publik vendi ku “sistemohesh”.

Idrizi e lidh këtë mentalitet edhe me trashëgiminë e periudhës komuniste, duke kritikuar konceptin e shtetit si punëdhënës ideal dhe vendin e punës në administratë si diçka që duhet ruajtur deri në pension.

Ai paralajmëron se kërkimi i vendeve të punës përmes lidhjeve politike mund ta shndërrojë punësimin publik në instrument varësie dhe klientelizmi.

“Duhet ta përmbysim këtë logjikë. Suksesi i një të riu nuk duhet të matet me faktin se arriti të kapë një karrige në administratë, por me atë se sa vlerë është në gjendje të krijojë me dijen dhe punën e tij”, shkruan Idrizi.

Në fund, ai shprehet se institucionet publike duhet të fokusohen te profesionistët, ndërsa sektori privat të shihet si mundësi për zhvillim dhe karrierë.

Reagimi i plotë i Valon Idrizit:

“Sektorin privat e duam për cilësi, sektorin publik për rehati

Kemi krijuar një paradoks interesant shoqëror: kur kemi mundësi, fëmijët duam t’i dërgojmë në shkolla private, për shëndetin kërkojmë klinika private, për një shërbim më të mirë zgjedhim sektorin privat dhe vazhdimisht ankohemi për joefikasitetin e institucioneve publike. Por kur vjen puna te punësimi, papritur sektori publik bëhet ëndrra jonë më e madhe. Presim konkursin, kërkojmë lidhjen, angazhojmë miq e të njohur dhe shpesh jemi të gatshëm të presim me vite vetëm për ta siguruar atë që vazhdojmë ta quajmë “një vend të sigurt në shtet”.

Dhe pikërisht këtu qëndron kontradikta. Sektori privat ka ecur përpara. Pagat janë rritur, kushtet janë përmirësuar, kompanitë investojnë në teknologji, trajnim dhe zhvillim profesional, ndërsa avancimi gjithnjë e më shumë lidhet me aftësinë dhe rezultatin. Sigurisht, jo çdo kompani private është model dhe as çdo institucion publik është problem. Por mentaliteti ynë vazhdon të sillet sikur jemi në një kohë tjetër: privati është vendi ku punohet, ndërsa publiku vendi ku “sistemohesh”. Dhe për sa kohë fjala sistemim konsiderohet sukses profesional, kemi një problem shumë më të madh se papunësia.

Mbase kjo është një nga trashëgimitë më të këqija të mentalitetit komunist: shteti si punëdhënësi ideal, rroga si e drejtë e fituar dhe vendi i punës si pronë që duhet ruajtur deri në pension. Pastaj çuditemi pse administrata fryhet, pse konkurset publike shndërrohen në beteja politike dhe pse çdo pushtet matet edhe me numrin e njerëzve që mund të punësojë. Kur qytetari e kërkon vendin e punës nga politika, politika një ditë do t’ia kërkojë faturën për atë vend pune. Dhe kështu punësimi publik, në vend që të jetë përzgjedhje e profesionistëve më të mirë për t’i shërbyer qytetarit, rrezikon të shndërrohet në instrument varësie dhe klientelizmi.

Duhet ta përmbysim këtë logjikë. Suksesi i një të riu nuk duhet të matet me faktin se arriti të kapë një karrige në administratë, por me atë se sa vlerë është në gjendje të krijojë me dijen dhe punën e tij. Institucionet publike duhet të kenë më pak hapësirë për “sistemime” dhe më shumë për profesionistë, ndërsa sektori privat duhet të shihet si mundësi për karrierë, jo si stacion i përkohshëm duke pritur sektorin publik. Sepse një ekonomi nuk bëhet e fortë kur mijëra njerëz presin që shteti t’u gjejë një vend pune, por bëhet e fortë kur mijëra njerëz kanë ambicien, dijen dhe guximin të krijojnë vende pune”, ka shkruar Idrizi./tetova1.mk

Trending