Çmimet në markete për momentin janë të qëndrueshme, por mbeten të larta. Megjithatë, shtrenjtimi i karburanteve mund të ndikojë edhe në çmimet e produkteve për shkak të rritjes së kostove të transportit, paralajmëroi ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi.
Inspektorët e tregut do të monitorojnë lëvizjen e marzheve të tregtarëve dhe do të kontrollojnë nëse rritjet eventuale të çmimeve janë vetëm pasojë e kostove më të larta apo nëse kompanitë po rrisin edhe fitimet e tyre. Durmishi paralajmëroi ndërhyrje nëse kontrollet tregojnë rritje të pajustifikuar të marzhit bruto të fitimit.
“Është normale që kur rritet çmimi i naftës, kjo të ndikojë, por ne do të shohim, përmes mekanizmave administrativë që kemi, të ndërhyjmë nëse rritet marzhi bruto i fitimit. Përsëri do të bëjmë kontrolle. Jemi në një krizë botërore, jo vetëm në vendin tonë, por megjithatë në rajon jemi më të lirët sa i përket çmimeve”, deklaroi Durmishi.
Ndërkohë, tregtarët kërkojnë ndryshime në Ligjin për Praktikat e Padrejtëta Tregtare, me të cilat do t’u lejohej sërish kthimi i mallrave të pashitura te furnizuesit.
Ministri paralajmëroi një takim me përfaqësuesit e tregtarëve, por theksoi se para çdo ndryshimi të ligjit duhet të përcaktohet se sa janë realisht humbjet e tyre për shkak të produkteve të pashitura. Duke qenë se rregullat aktuale janë harmonizuar me rekomandimet evropiane, për ndryshimin e tyre do të duhet të zhvillohen bisedime edhe me Bashkimin Evropian.











