Trendy

Mourinho kritikon “Topin e Artë”: Nuk duhet t’u jepet lojtarëve vetëm pse fitojnë Championsin apo Botërorin

Para 2 orë

José Mourinho ka dhënë mendimin e tij për garën për “Topin e Artë”, duke thënë se çmimi individual duhet t’u takojë lojtarëve që lënë gjurmë të paharrueshme në historinë e futbollit.

Duke folur në konferencën për media para ndeshjes së Real Madridit ndaj Málaga-s të dielën në “Santiago Bernabéu”, Mourinho tha se aktualisht janë rreth 12 futbollistë në nivel shumë të lartë, ndërsa 3-4 prej tyre janë pjesë e Real Madridit.

“Për mua, ‘Topi i Artë’ duhet t’u shkojë atyre lojtarëve që do t’i mungojnë përgjithmonë futbollit kur të pensionohen. Më mungojnë Maradona, Ronaldo Nazário, Messi, Zidane dhe Matthäus”, deklaroi Mourinho.

Ai kundërshtoi idenë që çmimi të përcaktohet vetëm nga trofetë e fituar gjatë sezonit.

“Nuk mund t’ia jepni ‘Topin e Artë’ një lojtari vetëm sepse ka fituar Champions League-n ose Kupën e Botës. Nëse doni të shpërbleni fituesin e Champions League-s, atëherë jepjani Luis Enriques”, u shpreh ai.

Mourinho pati gjithashtu fjalë të mira për trajnerin e Spanjës, Luis de la Fuente, duke thënë se ai e meriton një vlerësim të madh për sukseset e tij.

“‘Topi i Artë’ ka një karakter politik dhe nëse politika përfshihet, mua nuk më pëlqen”, shtoi trajneri portugez.

Mourinho flet edhe për Endrickun dhe Tchouaménin

Mourinho dha edhe një përditësim për gjendjen fizike të dy futbollistëve të Real Madridit, Endrick dhe Aurélien Tchouaméni.

Sipas tij, Endrick është më afër rikthimit në fushë dhe mund të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Real Betisit në javën e katërt të La Ligës, ose për ndeshjen e parë të Real Madridit në Champions League.

“Endrick është më afër rikthimit. Nuk dua të rrezikoj me të kundër Real Betisit. Sinqerisht, ai mund të jetë gati për ndeshjen ndaj Betisit ose për ndeshjen e parë të Champions League”, tha Mourinho.

Sa i përket Tchouaménit, trajneri ishte më i kujdesshëm.

“Sa u përket rasteve të tjera, ato janë më të komplikuara. Për Tchouaménin duhet t’i kontrollojmë emocionet. Nuk dua që ai të rikthehet dhe të largohet sërish nga fusha. Nuk dua ta fillojmë sezonin në gusht në një situatë të tillë. Shpresoj që Tchouaméni të jetë gati, por preferoj të presim edhe pak”, përfundoi ai.

Trending