Trendy

Aksion i suksesshëm kërkim-shpëtimi në Malet e Sharrit: Gjendet turistja e zhdukur!

Para 33 minuta

Një shtetase nga Republika e Bullgarisë, e cila ishte raportuar e zhdukur gjatë ngjitjes drejt Majës së Sharrit (Maja e Titos), është gjetur shëndosh e mirë pas një operacioni masiv kërkimi në Malet e Sharrit.

Rasti ishte denoncuar mbrëmjen e së shtunës (29.08.2026) në orën 20:22 në Sektorin e Punëve të Brendshme në Tetovë, përmes numrit të emergjencës 112. Personi i zhdukur u identifikua si 37-vjeçarja me iniciale N.S.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, autoritetet vendore nisën një aksion të gjerë kërkim-shpëtimi. Në këtë operacion u angazhuan zyrtarë policorë nga SPB Tetovë, Stacioni Policor i Kodrës së Diellit (Popova Shapka), pjesëtarë të Njësisë Speciale Antiteroriste “Tigri”, një helikopter i Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe ekipe nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe përfaqësues të Parkut Kombëtar “Mali Sharr”.

E reja u gjet të dielën, rreth orës 15:00, në afërsi të vendit të quajtur “Leshnica e Epërme” dhe staneve “1 Maji”. Ajo është pikasur nga banorë lokalë, të cilët konstatuan se 37-vjeçarja ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore.

Pas gjetjes, me një automjet terreni ajo u transportua nga Leshnica e Epërme drejt Kodrës së Diellit. Më pas, përmes Ndihmës së Shpejtë Mjekësore, turistja u dërgua në Spitalin Klinik të Tetovës për kontrolle rutinë dhe ndihmë mjekësore.

Trending