Një darkë prej rreth 295 eurosh i doli shumë më shtrenjtë një 44-vjeçari në Angli, pasi u përpoq të largohej nga restoranti pa e paguar faturën.
Johnny Delaney kishte darkuar në restorantin “Stubbs”, në Ashford të Kentit, së bashku me një grua dhe dy fëmijë. Fatura e tyre arriti në 252.82 funte, rreth 295 euro.
Por, në vend që të paguante, Delaney u largua nga restoranti. Kamerat e sigurisë e kapën teksa kalonte parkingun me njërin prej fëmijëve dhe më pas hipte në një Volkswagen Passat.
Kur u përball me autoritetet, 44-vjeçari pretendoi se ushqimi ishte i ftohtë dhe se në të kishte gjetur një qime. Megjithatë, restoranti e kundërshtoi këtë version, duke thënë se gjatë darkës nuk ishte bërë asnjë ankesë te stafi dhe se ushqimi ishte konsumuar i tëri.
Policia e Kentit arriti ta identifikonte pas një informacioni anonim. Delaney fillimisht u deklarua i pafajshëm, por më 12 gusht, kur çështja shkoi për gjykim në Gjykatën e Kurorës në Canterbury, ai ndryshoi qëndrim dhe u deklarua fajtor.
Gjykata e dënoi me 12 muaj urdhër për punë në komunitet dhe e detyroi të paguante 252.82 funte kompensim për restorantin, 114 funte shtesë dhe 1,630 funte shpenzime gjyqësore.
Kështu, tentativa për t’iu shmangur një fature prej rreth 295 eurosh i kushtoi atij në total rreth 2,330 euro– gati tetëfishin e shumës që kishte tentuar të mos e paguante. Për më tepër, ai duhet të respektojë edhe një orar ndalimi nga ora 18:00 deri në 03:00, deri në fillim të tetorit.
Nga restoranti kanë treguar se gjatë vitit të parë të funksionimit përballeshin me deri në dy raste të tilla në javë, ku klientët largoheshin qëllimisht pa paguar.











