Modeli legjendar Lada Niva vazhdon të mbijetojë në tregun e automjeteve, pothuajse gjysmë shekulli pas nisjes së prodhimit. Në Rusi ka nisur shitja e versionit të përditësuar Niva Legend, i cili vjen me motor të ri dhe disa përmirësime teknike e të sigurisë.
Ndryshimi kryesor ndodhet nën kapak. Motori i mëparshëm 1.7-litërsh me benzinë, që prodhonte 83 kuaj fuqi, është zëvendësuar me një motor atmosferik 1.8-litërsh, me 90 kuaj fuqi dhe 153 Nm çift rrotullues.
Kambio manuale me pesë shpejtësi dhe sistemi i përhershëm i tërheqjes në të katër rrotat mbeten ndër karakteristikat kryesore të këtij modeli rus.
Me motorin e ri, Niva Legend arrin një shpejtësi maksimale prej 142 km/h, ndërsa për të përshpejtuar nga 0 në 100 km/h i nevojiten rreth 15 sekonda. Konsumi i deklaruar i kombinuar është ulur nga 9.9 në 9 litra për 100 kilometra.
Përmirësime janë bërë edhe në sistemin e ftohjes, kambion dhe kutinë e transferimit, me synim reduktimin e dridhjeve dhe rritjen e komfortit gjatë drejtimit.
Niva ka marrë gjithashtu disa pajisje që prej kohësh janë standard në automjetet moderne. Ndër risitë janë airbag-u për shoferin dhe mbyllja qendrore, ndërsa i njëjti çelës përdoret si për hapjen, ashtu edhe për ndezjen e automjetit.
Disa pjesë të karrocerisë tashmë prodhohen edhe nga çelik i galvanizuar, për mbrojtje më të mirë ndaj korrozionit.
Versioni bazë Classic në tregun rus kushton 1.199.000 rubla, që korrespondon me rreth 12 mijë euro, sipas kursit aktual. Versionet me pajisje më të pasura kanë çmim më të lartë, ndërsa këto çmime nuk mund të krahasohen drejtpërdrejt me ato të tregut evropian.
Lada Niva filloi të prodhohej në vitin 1977 dhe, pavarësisht modernizimeve të shumta ndër vite, koncepti bazë i këtij automjeti të terrenit ka mbetur i pandryshuar.
Pothuajse gjysmë shekulli më vonë, duket se Niva legjendare ende nuk ka ndërmend të dalë në pension.














