Pas dështimit të tre përpjekjeve, apartamentet luksoze të sekuestruara të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, në Vodno, shteti tani i ofron me zbritje të konsiderueshme. Blerësit e interesuar do të mund t’i vizitojnë apartamentet më 10 shtator, ndërsa ankandi publik elektronik është caktuar për më 21 shtator.
Agjencia për Menaxhimin e Pronës së Sekuestruar i ka ulur çmimet me rreth 200 mijë euro për apartament.
Ulja më e madhe është bërë për apartamentin me sipërfaqe prej 199 metrash katrorë. Në vend të çmimit fillestar prej 847.000 eurosh, çmimi i ri fillestar tani është 635.200 euro.
Apartamenti i dytë, i cili ka një sipërfaqe prej 155 metrash katrorë dhe më parë ofrohej për 760.000 euro, tani shitet për 569.662 euro.
Apartamenti i tretë, me sipërfaqe prej 200 metrash katrorë, në vend të çmimit të mëparshëm prej 850.000 eurosh, tani ofrohet për 638.000 euro.
Ndryshe, pronat u sekuestruan pas çështjes gjyqësore “Parcelat në Vodno”, në të cilën ish-kryeministri Nikola Gruevski u dënua me nëntë vjet burg. Çështja kishte të bënte me përvetësimin e paligjshëm të 1.3 milion eurove nga donacionet e partisë dhe përdorimin e tyre për blerjen e tokës dhe ndërtimin e pasurive të paluajtshme.
Ndryshe, Nikolla Gruevski është në arrati që nga viti 2018, kur u dënua me dy vjet burg pas aktgjykimit të formës së prerë në rastin “Tanku”. Gruevskit iu dha azil në Hungari bazuar në pretendimet se ishte i persekutuar politikisht nga kryeministri i atëhershëm, Zoran Zaev.
Në Hungari ai arriti në mënyrë të dyshimtë, duke kaluar nëpër tre vende të Ballkanit me makina me targa hungareze, përpara se të fluturonte për në Budapest nga aeroporti i Beogradit me një aeroplan qeveritar. Në vitin 2019 gjykata në Hungari zyrtarisht e hodhi poshtë kërkesën për ekstradim nga autoritetet e Maqedonisë. Pasuan edhe kërkesa të tjera, por Budapesti zyrtar i hodhi poshtë të gjitha përpjekjet e autoriteteve maqedonase për ta kthyer të arratisurin në atdheun e tij.











