Nëse nuk e lexon, je i painformuar, por nëse e lexon, del se je keq i informuar. Kështu ndodh me librin e Gjeografisë për klasat e shtata, të autorit maqedonas, profesor Bllagoja Markovski, botim i vitit 2025, ku nxënësit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, detyrohen të mësojnë gjëra që nuk janë të vërteta ose janë të pasakta.
Bëhet fjalë për mungesë njohurish dhe profesionalizmi, apo është bërë me qëllim, një gjë e tillë ende nuk dihet.
Më saktësishtë, në faqen 43 të librit në fjalë, në tekst “Rafshi i Dukagjinit” në Kosovë, shkruhet “Metohija”.
LIBRI I GJEOGRAFISË (fq 43)
“Relievi përbëhet nga luginat e Fushë Kosovës, në pjesën qendrore dhe lindore dhe METOHIA në pjesën perëndimore“.
E disa faqe më parë, pra në faqen 41 të librit të Gjeogrfisë, përderisa teksti është për shtetin e Serbisë, autori ka përmendur se cilat nacionalitete jetojnë atje, ka përmendur serbët, malazezët, maqedonasit, bullgarët, hungarezët dhe romunët, por si duket ka “haruar” ti përmend edhe shqiptarët, ku vetëm në Preshev, Bujanoc dhe Medvegjë, jetojnë afro 60 mijë shqiptarë.
LIBRI I GJEOGRAFISË (fq 41)
“Në Sërbi jetojnë 6.736.216 banorë. Përveç serbëve, këtu jetojnë edhe malazezët, maqedonasit, bullgarët, hungarezët dhe rumunët në Vojvodinë”.
Por shqetësimet për përmbajtjen e teksteve shkollore nuk ndalen vetëm te libri i Gjeografisë. Të njëjtat pikëpyetje ngrihen edhe për librin e Historisë për klasën e tetë, ku sipas kritikave të fundit, përmbajtjet që lidhen me historinë e shqiptarëve janë reduktuar ndjeshëm, ndërsa më shumë hapësirë u është kushtuar përmbajtjeve që lidhen me historinë e Serbisë. Nga gjashtë deri në tetë njësi mësimore që më herët trajtonin tema nga historia e shqiptarëve, në tekstin e ri kanë mbetur vetëm tri.
Kjo nuk është hera e parë që tekstet shkollore përballen me reagime të tilla. Madje, për këtë çështje reagime ka pasur edhe më herët. Në dhjetor të vitit 2025, zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu, kishte kërkuar korrigjimin e gabimeve të evidentuara në librin e Gjeografisë për klasën e shtatë. Megjithatë, sot, një vit më vonë, të njëjtat përmbajtje vazhdojnë të ngrenë shqetësime.
Kujtojmë se për vite me radhë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës është drejtuar nga ministra dhe zëvendësministra shqiptarë, të cilët kanë premtuar se tekstet shkollore me përmbajtje të pasakta ose të diskutueshme do të rishikohen dhe korrigjohen. Megjithatë, edhe pas këtyre premtimeve, të njëjtat probleme vazhdojnë të përsëriten, duke ngritur pikëpyetje se sa janë zbatuar në praktikë premtimet për përmirësimin e teksteve shkollore.











