Trendy

Ish-kreu i CIA-s paralajmëron konflikt të gjatë në Lindjen e Mesme: Lufta SHBA-Iran mund të zgjasë edhe 6 muaj

Para 2 orë

Ish-sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, ka paralajmëruar se lufta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mund të vazhdojë edhe të paktën gjashtë muaj, ndërsa Uashingtoni dhe Teherani mbeten të përfshirë në një ngërç pa një rrugë të qartë drejt përfundimit të konfliktit.

Në një intervistë për The Guardian, Panetta, i cili ka drejtuar gjithashtu CIA-n gjatë administratës së Barack Obamës, tha se asnjëra palë nuk duket aktualisht në gjendje të gjejë një zgjidhje.

“Nuk është sekret që Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë bllokuar në një ngërç të tmerrshëm, ku ka shumë pak mundësi për t’i dhënë fund kësaj lufte. Mendoj se ka shumë gjasa që kjo luftë të vazhdojë edhe gjashtë muaj të tjerë pa u zgjidhur”, deklaroi Panetta.

Ish-kreu i Pentagonit ngriti shqetësime edhe për situatën brenda strukturave drejtuese të ushtrisë amerikane. Komentet e tij vijnë pas dorëheqjes së sekretarit të Ushtrisë amerikane, Dan Driscoll, mes raportimeve për tensione me sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, lidhur me ndryshimet në drejtimin e ushtrisë. Sipas Panettës, dërgimi i trupave amerikane në një konflikt të zgjatur në një periudhë tensionesh brenda Pentagonit mund të krijojë probleme si për zinxhirin komandues, ashtu edhe për perceptimin e kundërshtarëve të SHBA-së.

Ai argumentoi se Kina, Rusia, Koreja e Veriut, grupet terroriste dhe Irani po vëzhgojnë me kujdes mënyrën se si Uashingtoni po menaxhon konfliktin. Pentagoni i ka kundërshtuar këto kritika. Zëdhënësi Sean Parnell deklaroi se Departamenti i Mbrojtjes po funksionon normalisht nën drejtimin e Pete Hegseth dhe i cilësoi pretendimet për kaos si të pabazuara.

Panetta tha se presidenti Donald Trump vazhdon të përballet me një dilemë strategjike për mënyrën se si duhet të veprojë ndaj Iranit.

Ai e ka futur veten në një kurth”, deklaroi ish-drejtori i CIA-s. Sipas tij, administrata amerikane ka tre alternativa kryesore.

E para është të tërhiqet nga konflikti dhe të pranojë se objektivat e luftës nuk janë arritur, një mundësi që Panetta e konsideron politikisht të vështirë për Trumpin.

Alternativa e dytë është vazhdimi i situatës aktuale, me sulme të herëpashershme nga të dyja palët dhe pa negociata që mund të çojnë drejt një marrëveshjeje. Sipas Panettës, ky skenar rrezikon të krijojë një konflikt të zgjatur dhe pa një përfundim të përcaktuar.

Alternativa e tretë, sipas tij, është që SHBA-ja ta përqendrojë strategjinë te sigurimi dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin ndërkombëtar të energjisë.

“Presidenti ose duhet të bëjë atë që është e nevojshme për të hapur Ngushticën e Hormuzit, ose do të vazhdojë të pretendojë se po fiton një ngërç, kur në fakt nuk është kështu”, tha Panetta.

I pyetur nëse SHBA-ja mund ta fitojë luftën, ish-sekretari i Mbrojtjes argumentoi se një rezultat i tillë kërkon, para së gjithash, një objektiv strategjik të përcaktuar qartë.

Ai kritikoi gjithashtu deklaratat e përsëritura të Trumpit se një marrëveshje me Iranin është pranë dhe se situata në Hormuz është nën kontroll. Sipas Panettës, këto deklarata kanë dëmtuar besueshmërinë e presidentit amerikan.

Shqetësime për trupat amerikane
Panetta ngriti shqetësime edhe për kohëzgjatjen e dislokimit të forcave amerikane në rajon.

Ai përmendi aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln, e cila mbërriti këtë javë në Tajlandë pas më shumë se 260 ditësh dislokim në mbështetje të operacioneve kundër Iranit.

“Nuk mund t’i mbash njerëzit pafundësisht në një zonë lufte pa pasur një plan rotacioni”, deklaroi ai.

Sipas ish-kreut të Pentagonit, një konflikt i zgjatur pa një strategji të përcaktuar mund të ndikojë jo vetëm në objektivat ushtarake të SHBA-së, por edhe në moralin dhe mirëqenien e trupave.

Panetta e lidhi situatën edhe me klimën politike amerikane, duke argumentuar se mbështetja publike për vazhdimin e konfliktit po dobësohet.

Ndërkohë, nënpresidenti amerikan JD Vance ka shmangur përdorimin e termit “luftë” për përplasjen me Iranin. I pyetur nëse konflikti do të ketë përfunduar deri në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA në nëntor, Vance tha se nuk e di, duke shtuar se për këtë “duhet të pyesni iranianët”.

Trending