Trendy

Në krye të Iranit, por larg syve të publikut: Çfarë po ndodh me Mojtaba Khamenein?

Para 1 orë

Gjashtë muaj më parë, më 8 mars, kleriku 56-vjeçar Mojtaba Khamenei u emërua udhëheqës suprem i Iranit. Në atë kohë, pak iranianë e njihnin, pasi për vite kishte qëndruar nën hijen e të atit, Ajatollah Ali Khamenei. Që nga marrja e detyrës, edhe më të paktë janë ata që e kanë parë.

Mojtaba Khamenei mori postin më të lartë të Republikës Islamike pas vdekjes së të atit, udhëheqësit fetar të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, më 28 shkurt. Ai humbi jetën në ditën e parë të operacionit të përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër regjimit iranian, që shënoi edhe fillimin e luftës e cila vazhdon ende.

Që prej marsit nuk është publikuar asnjë pamje e re e Mojtaba Khameneit. Portreti i tij shfaqet në postera të mëdhenj në rrugë, por vetë udhëheqësi suprem nuk ka bërë asnjë paraqitje publike.

Informacionet për aktivitetin e tij kanë ardhur kryesisht përmes njoftimeve, mesazheve zanore, materialeve të mëparshme filmike dhe raportimeve amerikane. Gjatë këtyre 6 muajve, Khamenei ka nxjerrë 21 njoftime.

Fillimisht ato lexoheshin nga prezantuesit televizivë dhe më pas publikoheshin në X ose Telegram. Mesazhet kanë trajtuar festat fetare, luftën dhe gjendjen ekonomike të Iranit, por figura e tij vazhdon të mbetet pak e njohur për pjesën më të madhe të popullsisë.

Në krye të Iranit, por larg syve të publikut: Çfarë

Ai nuk mori pjesë as në ceremonitë e varrimit të të atit në korrik, të cilat zgjatën gjashtë ditë dhe tërhoqën miliona pjesëmarrës. Autoritetet iraniane e kanë justifikuar mungesën e tij nga skena publike me arsye sigurie.

Megjithatë, kjo mungesë ka nxitur spekulime për gjendjen e tij shëndetësore, pas raportimeve se ai u plagos gjatë sulmit ku humbën jetën i ati, bashkëshortja dhe një mbesë e tij.

Autoritetet iraniane kanë pranuar se Khamenei pësoi lëndime gjatë luftës, por i kanë cilësuar ato si të lehta. Sipas versionit zyrtar, ai është rikuperuar, vazhdon të kontrollojë drejtimin e vendit dhe ka fjalën e fundit për vendimet më të rëndësishme.

Megjithatë, disa analistë vlerësojnë se Mojtaba Khamenei nuk ka të njëjtin autoritet dhe kontroll që ushtronte i ati, Ali Khamenei, i cili drejtoi Republikën Islamike për pothuajse katër dekada.

Analisti Raffaele Mauriello, i cili ka jetuar për vite në Iran, argumenton se udhëheqja iraniane aktualisht funksionon në mënyrë më kolektive se në të kaluarën dhe se Khamenei është një prej disa aktorëve që marrin pjesë në drejtimin e vendit.

Në krye të Iranit, por larg syve të publikut: Çfarë

“Garda Revolucionare është ndoshta sektori më i rëndësishëm në Iran në këtë moment”, shprehet Mauriello, duke sqaruar se kjo nuk do të thotë se ajo ushtron pushtet absolut.

Në fillim të gushtit, presidenti iranian Masoud Pezeshkian zhvilloi një takim me Khamenein. Sipas presidentit, takimi zgjati shtatë orë, ndërsa raportime të tjera pretendojnë se dy zyrtarët nuk patën kontakt të drejtpërdrejtë vizual.

Deri tani, vendimi më i rëndësishëm që i atribuohet publikisht Khameneit lidhet me riorganizimin e drejtimit ushtarak të Republikës Islamike dhe emërimin e shtatë zyrtarëve të lartë.

Mes tyre spikat emërimi i Mohsen Rezaei si sekretar i ri i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare. Rezaei është një komandant veteran, i cili drejtoi Gardën Revolucionare gjatë luftës Iran-Irak në vitet 1980.

Në krye të Iranit, por larg syve të publikut: Çfarë

Një tjetër emërim i rëndësishëm është ai i Hossein Taeb në krye të milicisë islamike Basij, forcë paraushtarake vullnetare që, ndër të tjera, angazhohet në sigurinë e brendshme dhe në përballimin e protestave.

Sipas analistëve, këto emërime synojnë të forcojnë strukturat shtetërore për një konflikt të zgjatur me Shtetet e Bashkuara, si edhe të ruajnë kontrollin e situatës së brendshme dhe të parandalojnë ose menaxhojnë protesta të reja kundër Republikës Islamike.

Trending