Trendy

Ratko Mladiq u përcoll me ceremoni shtetërore, BE dënon glorifikimin e kriminelëve të luftës

Para 58 minuta

Bashkimi Evropian ka reaguar përmes një deklarate zyrtare me rastin e vdekjes së ish-gjeneralit serb Ratko Mladiq, të dënuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas deklaratës së zëdhënësit të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (SEAE), konfliktet e armatosura të viteve 1990 në Ballkanin Perëndimor mbeten ndër momentet më të errëta të historisë së fundit të Evropës.

BE shpreh solidaritetin e saj me të gjitha viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre që vuajtën nga krimet e luftës në vendet e ish-Jugosllavisë.

“Ratko Mladiq ishte një kriminel lufte i dënuar, i cili kishte kryer krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Ai vdiq duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit dhe gjenocidin e Srebrenicës,” thuhet në deklaratë.

Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë e dënoi Mladiçin me burgim të përjetshëm në vitin 2017, duke i cilësuar krimet e tij si ndër më të rëndat të njohura për njerëzimin.

BE thekson se çdo formë e glorifikimit të kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi historik bien ndesh me vlerat themelore evropiane dhe nuk kanë vend as në Bashkimin Evropian, as në vendet kandidatë për anëtarësim.

“Pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore në Ballkanin Perëndimor mbeten thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët,” vijon deklarata.

Bashkimi Evropian rivlerëson angazhimin e tij si partner i vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur proceset e pajtimit, stabilitetin rajonal dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të trashëguara nga e kaluara, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Deklarata e plotë:

Konflikti i armatosur i viteve 1990 në Ballkanin Perëndimor ishte ndër momentet më të errëta të historisë së fundit të Evropës. Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjitha viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre që vuajtën nga krimet e luftës në vendet e ish-Jugosllavisë.

Ratko Mladiç ishte një kriminel lufte i dënuar, i cili kishte kryer krime lufte, gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Ai vdiq duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm për krime kundër njerëzimit dhe gjenocidin e Srebrenicës.

Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë e dënoi atë me burgim të përjetshëm në vitin 2017, duke i përshkruar krimet e tij si ndër krimet më të tmerrshme të njohura për njerëzimin.

Çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat më themelore evropiane dhe nuk kanë vend në BE apo në vendet kandidatë për anëtarësim në BE. Pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore në Ballkanin Perëndimor mbeten thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët.

BE-ja është partner i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor për të mbështetur përpjekjet e tyre për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin rajonal, si dhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse për mosmarrëveshjet dhe çështjet rajonale e dypalëshe të partnerëve tanë, që rrjedhin nga trashëgimia e së kaluarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Trending