Turqia ka reaguar ashpër ndaj ceremonisë mortore të Ratko Mlladiçit, duke e cilësuar të papranueshme çdo përpjekje për të mohuar apo minimizuar krimet e kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në një deklaratë të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme turke, Öncü Keçeli, thuhet se shfrytëzimi i ceremonisë së varrimit të Mlladiçit për të mohuar krimet e rënda të dokumentuara dhe vuajtjet e viktimave është i papranueshëm.
Mlladiçi, ish-komandant i forcave serbe të Bosnjës, u dënua përfundimisht nga tribunalet ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
“Refuzimi i këtyre vendimeve gjyqësore apo çdo përpjekje për të glorifikuar autorët e dënuar rëndon vuajtjet e viktimave dhe familjeve të tyre, ndërsa dëmton përpjekjet e vazhdueshme shumëvjeçare për të arritur paqen dhe pajtimin në rajon”, thuhet në deklaratë.
Ankaraja thekson se e ardhmja e Ballkanit duhet të ndërtohet mbi paqen, prosperitetin dhe bashkëjetesën, duke nxjerrë mësimet e nevojshme nga e kaluara.
“Ballkani ka nevojë për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, të begatë dhe të përbashkët, të mbështetur mbi mësimet e nevojshme të nxjerra nga e kaluara”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme.
Në përfundim, Ministria e Jashtme turke përkujtoi të gjithë civilët dhe personat e pafajshëm që humbën jetën gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, me theks të veçantë te viktimat e gjenocidit të Srebrenicës.
“Ne ndajmë dhimbjen e familjeve të tyre”, thuhet në deklaratë.











