Trendy

Tensione SHBA-Gjermani/ Trump feston fitoren e AfD-së, Merz shtyn telefonatën me presidentin amerikan

Para 2 orë

Presidenti amerikan përshëndeti rezultatin e AfD-së në Saksoni-Anhalt dhe kritikoi politikat gjermane të emigracionit. Kancelari Friedrich Merz mbajti qëndrim të kundërt, duke e cilësuar “remigrimin” e propozuar nga e djathta ekstreme si “spastrim etnik”.

Telefonata e planifikuar për këtë të mërkurë mes kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe presidentit amerikan Donald Trump është shtyrë me kërkesë të palës gjermane, një ditë pasi kreu i Shtëpisë së Bardhë përshëndeti publikisht rezultatin e AfD-së në zgjedhjet në Saksoni-Anhalt.

Berlini nuk ka dhënë një arsye konkrete për shtyrjen e bisedës, por ka sqaruar se vendimi nuk lidhet me probleme të axhendës. Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, nuk konfirmoi nëse deklaratat e Trump për AfD-në kanë ndikuar në vendim.

Presidenti amerikan reagoi pas rezultatit të zgjedhjeve me një mesazh në platformën e tij Truth Social, ku e lidhi rritjen e AfD-së me pakënaqësinë e votuesve ndaj politikave të emigracionit në Gjermani.

“Uau! Partia populiste në Gjermani sapo pati një natë vërtet të rëndësishme. Më në fund janë lodhur nga rregullat dhe normat absolutisht të tmerrshme të emigracionit që e kanë dëmtuar kaq shumë Gjermaninë. JANË NË NGJITJE dhe nuk kanë më ndërmend ta pranojnë këtë!”, shkroi Trump.

Ai e mbylli reagimin me thirrjen “Make Germany Great Again”, duke përshtatur për Gjermaninë sloganin e tij të njohur politik “Make America Great Again”.

Qëndrimi i Trump bie ndesh drejtpërdrejt me atë të kancelarit gjerman. Ndërsa presidenti amerikan e interpreton rezultatin e AfD-së si shenjë të kërkesës së votuesve për ndryshim të politikave të emigracionit, Merz e konsideron të djathtën ekstreme një kundërshtar që duhet frenuar politikisht.

Kancelari e bëri të qartë këtë qëndrim edhe të mërkurën në Bundestag, gjatë debatit të përgjithshëm për ligjin e buxhetit, ku u përplas me drejtuesen e AfD-së, Alice Weidel.

Merz sulmoi veçanërisht konceptin e “remigrimit” që mbështet AfD-ja. Sipas kancelarit, një politikë e tillë do të përbënte një formë “spastrimi etnik”.

Weidel, nga ana tjetër, përdori rezultatin e zgjedhjeve në Saksoni-Anhalt për të argumentuar se CDU-ja po humbet mbështetjen e votuesve dhe se raportet politike në vend po ndryshojnë.

AfD mori 43,8% të votave, ndërsa CDU-ja e Merz u ndal në 17,2%. Rezultati përbën një goditje të rëndë për partinë e kancelarit. Vetë Merz e kishte përshkruar të hënën atë si humbjen më të rëndë të CDU-së “prej vitesh, në mos prej dekadash”.

Pikërisht në këtë klimë politike ishte parashikuar edhe biseda mes Merz dhe Trump. Telefonata pritej të shërbente, ndër të tjera, për përgatitjen e aktiviteteve përkujtimore të 11 shtatorit 2001, por pala gjermane kërkoi shtyrjen e saj.

Megjithatë, qeveria në Berlin nuk ka deklaruar se vendimi lidhet me mbështetjen publike që Trump i dha AfD-së. Për këtë arsye, një lidhje e drejtpërdrejtë mes dy zhvillimeve mbetet e pakonfirmuar.

Përplasja për AfD-në nxjerr në pah edhe dallimet politike mes administratës amerikane dhe qeverisë gjermane. Përveç emigracionit, Uashingtoni dhe Berlini kanë shfaqur qëndrime të ndryshme për çështje që lidhen me Rusinë, luftën në Ukrainë dhe drejtimin politik të Evropës.

Edhe marrëdhënia personale mes Merz dhe Trump ka kaluar nëpër momente të vështira. Gjatë vizitës së kancelarit në Shtëpinë e Bardhë në qershor 2025, Merz kërkoi që presidenti amerikan të mbante një qëndrim më të ashpër ndaj Vladimir Putinit për luftën në Ukrainë. Trump, në atë rast, e krahasoi konfliktin me një grindje mes fëmijëve.

Më pas, të dy udhëheqësit u përpoqën të afronin qëndrimet. Vetëm tre muaj më parë, gjatë samitit të G7-s në Évian, Merz i dhuroi Trump një fanellë të kombëtares gjermane me mbiemrin “Trump” dhe numrin 47, me rastin e 80-vjetorit të presidentit amerikan.

Në fund të fundit, jemi në të njëjtën skuadër”, i tha atëherë kancelari.

Tashmë dallimi është i dukshëm në qëndrimin ndaj AfD-së: Trump përshëndet publikisht avancimin elektoral të partisë, ndërsa Merz e konsideron atë një kërcënim politik dhe kundërshton ashpër një prej propozimeve të saj kryesore për emigracionin.

Trending