Dy pacientë te të cilët është konfirmuar ethet e Nilit Perëndimor vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë shëndetësore, të lidhur me aparate për frymëmarrje. Katër të tjerët që janë të hospitalizuar janë në gjendje stabile.
Infektologët paralajmërojnë se te pacientët me simptoma neurologjike – gjendja do të duhet të monitorohet dhe rikuperimi mund të zgjasë shumë.
Ministria e Shëndetësisë tashmë ka alarmuar institucionet kompetente shëndetësore edhe për monitorimin e pacientëve që e kanë kaluar virusin me komplikime më të rënda.
Sipas autoriteteve shëndetësore, epidemia tashmë po qetësohet.
Sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore, këtë vit, përfshirë tetë shtatorin, janë konfirmuar gjithsej 58 raste me ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa janë regjistruar tetë raste vdekjeje.
Të gjithë të vdekurit janë të gjinisë mashkullore, mbi 60 vjeç, nga Shkupi, dhe shtatë prej tyre kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese.








