Kryetarët e komunave të Pollogut, përmes një konkluzioni, do t’i kërkojnë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ndryshime ligjore lidhur me organizimin e arsimit fillor.
Sipas kryetarit të Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu, në mbledhjen e sotme të kryetarëve të komunave të Pollogut është diskutuar për optimizimin e paraleleve në shkolla, me theks të veçantë te rreziku i mbylljes së shkollave dhe teprica e mësimdhënësve në rast të mbylljes së tyre.
Sejdiu theksoi se do të kërkohet që në të ardhmen klasat të kenë nga 15 nxënës, në vend të 20 ose më shumë, sa kërkohet aktualisht. Gjithashtu, do të kërkohet që fondi i orëve të plota për mësimdhënësit të jetë 15 orë, në vend të 20 orëve, siç është aktualisht. Kjo kërkesë vjen si pasojë e rënies së numrit të nxënësve në shkollat fillore.
Kryetari Sejdiu nënvizoi se shkollat që rrezikohen më së shumti të mbyllen janë ato në vendbanimet rurale, veçanërisht në Malësinë e Tetovës.
“Nuk ka faj askush nëse një shkollë mbyllet, por nëse ka edhe një nxënës, ajo shkollë nuk mbyllet. Por, nëse nuk ka asnjë nxënës, do të detyrohemi ta mbyllim atë shkollë dhe mësimdhënësit do të duhet të transferohen në shkollën qendrore”, tha, mes tjerash, Sejdiu, raporton Tetova1.
Sa i përket rajonit të Pollogut, aktualisht nuk ka raste të tilla, por nëse paraqitet ndonjë shkollë që duhet të mbyllet, atëherë do të duhet të organizohemi dhe të përcaktojmë se si do të veprojmë më tej.
“Në Maqedoninë Lindore ka raste ku janë mbyllur shkollat dhe me siguri edhe tek ne do të ketë raste të tilla. Prandaj edhe mbajmë takime për të parë se si do të veprojmë”, tha për mediat kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.










