Trendy

“I shërbeva me besnikëri Serbisë”, Vuçiç zbulon datën e dorëheqjes nga posti i Presidentit

Para 2 orë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka njoftuar se më 27 shtator do të japë dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit. Pas largimit nga Presidenca, ai pritet t’i bashkohet fushatës për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 25 tetorit.

Gjatë një interviste për TV Pink, Vuçiç bëri të ditur datën e largimit të tij nga posti, duke deklaruar se mbrëmjen e 27 shtatorit do t’u drejtohet qytetarëve serbë për t’i falënderuar për mbështetjen që i kanë dhënë gjatë viteve në krye të shtetit.

“Dua t’ju njoftoj se më 27 shtator do të jap dorëheqjen nga posti i presidentit. Atë mbrëmje do t’u drejtohem qytetarëve dhe do t’i falënderoj për mbështetjen. Kam qenë presidenti i Republikës për kohën më të gjatë që nga vendosja e sistemit shumëpartiak në vendin tonë. Këtë nuk do të mund ta bëja pa qytetarët e këtij vendi. E vetmja gjë që mund të them është se i kam shërbyer me besnikëri Serbisë dhe qytetarëve të saj, me përkushtim dhe duke luftuar”, u shpreh Vuçiç.

Kreu i shtetit serb bëri të qartë se largimi nga Presidenca nuk do të nënkuptojë tërheqjen e tij nga politika. Ai tha se më pas do të përfshihet në fushatën për zgjedhjet parlamentare si një qytetar i zakonshëm.

“Më pas do të shkoj në fushatën zgjedhore të 25 tetorit si një qytetar i zakonshëm”, shtoi presidenti serb.

Vuçiç foli edhe për mënyrën se si planifikon ta zhvillojë fushatën, duke paralajmëruar vizita në zona të ndryshme të Serbisë dhe takime të drejtpërdrejta me qytetarët.

“Kam marrë edhe një automjet, kam edhe makinën time. Kam marrë edhe një kamping, pasi nuk do të mund të fle kudo. Do të shkoj në fshatrat më të largëta, do të qëndroj deri vonë. Ka ende shumë fshatra ku nuk kam qenë. Dua të vizitoj edhe qytetet, të flas me njerëzit para dyqaneve, para lokaleve”, deklaroi ai.

Serbia pritet të zhvillojë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare më 25 tetor. Më 9 shtator, Vuçiç shpërndau zyrtarisht Kuvendin dhe firmosi dekretin për zgjedhjet e parakohshme, pas muajsh tensionesh politike dhe protestash kundër korrupsionit.

Mandati i dytë dhe i fundit presidencial i Vuçiçit do të përfundonte në vitin 2027. Pas dorëheqjes, ai pritet të udhëheqë listën zgjedhore të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) dhe të jetë kandidati i saj për postin e kryeministrit.

Zgjedhjet e 25 tetorit zhvillohen në një klimë të polarizuar politike, pas protestave që nisën në vijim të tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor 2024. Përballë SNS-së pritet të garojë edhe lista e studentëve, e dalë nga lëvizja protestuese, si dhe koalicione të tjera opozitare.

Trending