I dënuari Jane Bovarovski, njëri nga të dënuarit në rastin e aksidentit tragjik në Llaskarcë, përkohësisht lirohet nga vuajtja e mëtejshme e dënimit me burg, pas vendimit të Gjykatës Supreme të Maqedonisë së Veriut për shfuqizimin e aktgjykimit të Apelit dhe kthimin e lëndës për rishqyrtim dhe vendimmarrje të re.
Nga gjykata është bërë e ditur se ka mbërritur “njoftim në lidhje me J.B.”, sipas të cilit, në përputhje me vendimin e Gjykatës Supreme, ai lirohet nga vuajtja e mëtejshme e dënimit deri në marrjen e një vendimi të ri.
“Ky është i vetmi i dënuar, dënimi i të cilit ekzekutohet sipas aktit të referimit të Gjykatës Penale në Shkup. Të gjithë të tjerët janë sipas vendimit të Gjykatës në Gostivar, pasi atje kanë vendbanimin”,thuhet në njoftimin e gjykatës.
Gjykata Supreme vendimin që “Llaskarca” të kthehet në Apel e ka bazuar në kërkesën e të akuzuarve për rishqyrtim të jashtëzakonshëm. Sipas arsyetimit të trupit gjykues, pas vendimit të shkallës së parë, Gjykata e Apelit nuk ka arritur t’i dëshmon ndaras veprimet e çdo të akuzuari. Kjo sipas tyre është edhe arsyeja kryesore pse janë pranuar ankesat e tyre për të kthyer lëndën përsëri në Apel.
“Ekspertiza dhe superekspertiza dëshmojnë se arsye për tragjedinë ka qenë lëshimi i të dënuarit M.T, por gjykata nuk ka arritur ta vërteton se deri në cilën shkallë pakujdesia e tij ka arritur të ndikon deri në tragjedi. Për këtë arsye, gjykata e shkallës së dytë nuk e ka shpjeguar sa duhet se mbi bazën e cilave dëshmi vërtetohet se veprat e të dënuarve tjerë kanë bazë për t’i ngarkuar dhe mbajnë përgjegjësi penale, thanë nga Gjykata Supreme.
Referuar vendimit të Supremes, trupi gjykues kërkon nga Apeli atë që shkalla e dytë nuk e ka kërkuar në vendimin e shkallës së parë, veprimet konkrete të çdonjëri të dënuar në këtë rast.
“Që veprat penale të kenë fuqi, patjetër duhet që fajësia të precizohet për çdo kryerës, që të ketë bazë të shpallet fajtor. Gjykata e shkallës së dytë nuk e ka marrë parasysh faktin se për të dënuarin M.T nuk ka pasur superekspertizë mbi gjendjen e tij shëndetësore në momentin e tragjedisë. Marrja e tyre në konsideratë do të kryqëzonte argumentet e palëve dhe do të arrihej deri te gjendja faktike”,thonë nga Gjykata Supreme.
Për mos shqyrtimin e të gjitha ankesave dhe vlerësimin e dëshmive që mund të ndryshojnë gjendjen faktike, Gjykata Supreme ka vendosur që i gjithë procesi të kthehet përsëri në Apel, duke bërë: vlerësim dhe vendim të përsëritur. Raportues i lëndës ka qenë gjyqtari Afrim Fidani, ndërsa anëtarë të këshillit Xhemali Saiti, Safet Kadrii, Cvetanka Periq dhe Mirjana Llazarova Trajkovska. Apeli në prill të vitit të kaluar, ua rriti dënimet me burg të akuzuarve. Pronarit të kompanisë transportuese “Durmo Turs”, i cili është dhe i akuzuari i parë në këtë lëndë, prej 4 vjet burg Apeli ia rriti në 10 vjet. Me 10 vjet, u dënua edhe i akuzuari i dytë Remzi Miftari, përgjegjës i transportit në kompani, i cili në shkallë të parë ishte dënuar me 6 vjet. Megjithatë, Miftari u arratis dhe ende nuk është i kapshëm për organet e sigurisë. Më tej, udhëheqësit të teknik “AMZ Gostivar” i cili ishte i akuzuar i tretë Igor Gjorgjievski, por edhe kontrollorit si i akuzuar i katërt Goran Dukovski, Apeli ua rriti dënimet prej 5 në 7 vjet. Ashtu siç kishte kërkuar Prokuroria dënimet nuk kanë ndryshuar për të dyshuarit e pestë dhe të gjashtë, respektivisht kontrollorin teknik Jane Babarovski, i cili në shkallë të parë u dënua me 5 vjet burg, si dhe shoferit të autobus i cili u dënua me 14 vjet burg. Në aksidentin tragjik të Llaskarcës në vitin 2019 jetën e humbën 16 persona, ndërsa 38 të tjerë u lënduan.
Jane Bovarovskiështë njëri nga dy personat e punësuar në stacionin për kontroll teknik të autobusit që u përfshinë në rastin “Llaskarcë”. Me aktgjykimin e shkallës së parë, ai ishte dënuar me pesë vjet burg, ndërsa Gjykata e Apelit në Shkup e kishte lënë në fuqi këtë dënim.
Gjykata Supreme më 11 shtator shfuqizoi aktgjykimin e Apelit të 17 prillit 2025 dhe e ktheu lëndën për rishqyrtim dhe vendimmarrje të re. Me këtë vendim u pranuan kërkesat e të dënuarve të paraqitura përmes mbrojtësve të tyre.
Në aktgjykimin e parë, të shpallur në janar 2024, gjashtë të akuzuarit u shpallën fajtorë dhe u dënuan me gjithsej 39 vjet burg. Shoferi Manoil Trifunovski u dënua me 14 vjet, pronari i “Durmo Turs”, Durmish Beluli, me katër vjet, ndërsa Remzi Miftari me gjashtë vjet. Tre të punësuarit në stacionin për kontroll teknik, përfshirë J.B., u dënuan me nga pesë vjet burg.
Aksidenti i autobusit ndodhi më 13 shkurt 2019, kur autobusi i kompanisë “Durmo Turs” doli nga autostrada pranë fshatit Llaskarcë, duke qarkulluar në linjën e rregullt Shkup–Gostivar. Në aksident humbën jetën 16 udhëtarë, ndërsa 38 të tjerë u lënduan./Portalb











