Exit-pollet në dalje të kutive të votimit kanë treguar se partia e Kancelarit Friedrich Merz pësoi humbje të rënda në dy zgjedhje shtetërore gjermane të dielën.
Dhe menjëherë pas kësaj ka ardhur një reagim nga kancelari Merz.
Duke folur pas publikimit të exit polleve, Merz deklaroi se do të qëndrojë në krye të CDU-së dhe si kancelar deri në fund të mandatit të tij, përcjell Telegrafi.
“Dua ta çoj vendin tonë përpara”, tha kryetari i CDU-së në Berlin. “Reformat duhet të ndodhin…”, ka shtuar ai.
“Do ta bëj këtë si kryetar i CDU-së dhe, mbi të gjitha, si Kancelar i vendit tonë”, ka thënë më tej Merz.
Megjithatë, Merz i përshkroi humbjet e rënda të partisë së tij në zgjedhjet shtetërore të Mecklenburg-Pomerania Perëndimore si një “katastrofë”.
Merz, 70 vjeç, u bë udhëheqës i Gjermanisë 16 muaj më parë me premtime për të rimëkëmbur një ekonomi që mezi ka shënuar rritje vitet e fundit.
Ndryshe, siç është raportuar, parashikohet që Bashkimi Kristian-Demokrat (CDU) i qendrës së djathtë, i udhëhequr nga Merz, të bjerë në 5.5% në Meklenburg-Pomerania Perëndimore, një shtet kryesisht rural në pjesën lindore të Gjermanisë, dikur komuniste.
Dhe ky do të ishte rezultati i tij më i dobët atje që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në Berlin, CDU parashikohet të dalë e dyta me 20%, pas partisë së Majtë (Die Linke) që ka 24.5%, sipas exit pollit të transmetuesit publik ARD.
Partia “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) shënoi rritje të ndjeshme në të dyja zgjedhjet e së dielës.
Votimi erdhi dy javë pasi AfD-ja ishte shumë pranë fitimit të shumicës në shtetin e vogël lindor të Saksonisë-Anhalt dhe ka shansin e saj më të mirë deri më tani për të formuar qeverinë e parë rajonale të ekstremit të djathtë në vend që nga Lufta e Dytë Botërore.











