Një 31-vjeçar meksikan është arrestuar mbrëmë në Gjorçe Petrov, pasi, sipas policisë, fillimisht ka refuzuar të identifikohet dhe më pas ka sulmuar një polic.
“Është sjellë në mënyrë agresive, ndërsa më pas fizikisht dhe me një objekt të fortë ka sulmuar një zyrtar policor gjatë kryerjes së veprimeve zyrtare”, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.
Incidenti ka ndodhur rreth orës 21:00 në parkun ku po mbahej një manifestim. Pas arrestimit, policia ka konstatuar se 31-vjeçari ishte nën ndikimin e alkoolit.
“Është konstatuar gjithashtu se H.I.B.L. ishte nën ndikimin e alkoolit, përkatësisht i janë matur 2,30 promilë alkool në gjak”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.











