Trendy

Seri vjedhjesh në Bogovinë: Nga shtëpitë vodhën para, ar dhe armë, ndërsa morën edhe një kasafortë me peshë 400 kilogramë

Para 2 orë

Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka nisur procedurë ndaj katër personave të dyshuar për veprën penale të vazhduar – vjedhje e rëndë. Sipas Prokurorisë, ata gjatë periudhës nga prilli deri në shtator të këtij viti kanë kryer disa vjedhje në fshatrat e Komunës së Bogovinës.

Sipas të dhënave të deritanishme, të dyshuarit kanë hyrë me forcë në më shumë se 10 shtëpi, prej nga kanë marrë para, stoli ari dhe lloje të ndryshme armësh zjarri, të cilat pronarët i posedonin me leje.

Gjatë një prej vjedhjeve në fshatin Pallçishtë, nga shtëpia e të dëmtuarit kanë arritur të nxjerrin edhe një kasafortë me peshë rreth 400 kilogramë.

Vlera totale e sendeve të vjedhura deri më tani vlerësohet në rreth 15 milionë denarë.

Prokurori publik po vazhdon me sigurimin intensiv të provave për të gjitha rastet e raportuara. Me propozim të Prokurorisë, dy prej të dyshuarve u është caktuar ndalim i shkurtër prej 48 orësh, ndërsa dy të tjerët janë në kërkim. Për ta, masa e ndalimit do të fillojë të llogaritet nga momenti i gjetjes dhe privimit të tyre nga liria.

Trending