Për të gjashtën natë radhazi, qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe në kundërshtim të aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Protestat, të nisura menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit më 16 shtator, kanë vazhduar çdo mbrëmje në kryeqytet, me sheshin “Skënderbeu” që është shndërruar në pikën kryesore të tubimeve.
Gjatë netëve të kaluara, protestuesit kanë mbajtur flamuj kombëtarë dhe të UÇK-së, fotografi të katër ish-krerëve dhe pankarta përmes të cilave kanë kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë.
Gjatë ditës së sotme u mbajt edhe njw protest nga studentët. Ata marshuan gjatë ditës nga Qendra e Studentëve deri në sheshin “Skënderbeu”, me thirrjet “UÇK” dhe “Jo në emrin tim”, ndërsa në fund lëshuan pëllumba të bardhë si simbol të lirisë.
Tubimet në Prishtinë kanë nisur më 16 shtator, kur qytetarët ndoqën nga sheshi shpalljen e aktgjykimit. Pas përfundimit të seancës, një pjesë e tyre marshuan drejt zyrave të EULEX-it. Protestat vazhduan edhe në ditët pasuese, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se nuk do të ndalen.
Në natën e katërt, organizatori Çlirim Haziri deklaroi se qytetarët do të vazhdojnë protestat, duke theksuar se tubimet nuk janë organizuar rreth një partie politike. “Nuk na ka bashkuar partia, na ka bashkuar UÇK-ja”, ishte mesazhi i tij.
Protesta nuk është kufizuar vetëm në Prishtinë. Gjatë ditëve të fundit tubime në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar edhe nga shqiptarët në Gjermani, Zvicër, Austri dhe Kanada.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan në shkallë të parë me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet dhe Rexhep Selimi me 13 vjet. Aktgjykimi nuk është i formës së prerë dhe palët kanë të drejtë ta kundërshtojnë atë në Apel.











