Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka deklaruar se diplomatëve perëndimorë u ishte kërkuar të ushtronin presion mbi udhëheqësit e Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale, ndonëse ai vetë thotë se nuk ishte pajtuar me një qasje të tillë.
Në një intervistë për Klan News, Bosch, i cili shërbeu si ambasador në Kosovë nga viti 2010 deri më 2015, ka dhënë versionin e tij për prapaskenat që i paraprinë krijimit të Dhomave të Specializuara.
Sipas tij, presioni mbi Kosovën vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane, ndërsa një nga arsyet ishte përpjekja për të kënaqur Serbinë dhe për të afruar drejt Perëndimit udhëheqjen e atëhershme serbe.
“Unë, si kolegët e mi, u kërkua që t’u ushtroja presion atyre personave që ta nënshkruanin këtë marrëveshje për këtë Gjykatë Speciale. Nuk isha dakord, por nuk mund të dilja kundër udhëzimeve të ministrisë time”, ka deklaruar Bosch për Klan News.
Ish-diplomati holandez ka përmendur posaçërisht Ivica Daçiçin, duke thënë se në atë periudhë ai shihej nga evropianët si një politikan serb që mund të afrohej me Perëndimin.
“Daçiç gjithmonë prezantohej si një person pro-perëndimor dhe evropianët donin ta kënaqnin atë. Por kur doli në pozitë u kuptua që ishte po aq i keq sa Vuçiç. Evropa donte ta kënaqte atë. Qeveria e tij ushtroi shumë presion”, ka thënë Bosch.
Ai ka deklaruar se nuk kishte dijeni për ndonjë rol rus në këtë proces, duke e lidhur presionin kryesisht me politikën e Serbisë dhe qasjen që Perëndimi kishte ndaj Beogradit në atë periudhë.
Bosch ka folur edhe për raportin e Dick Martyt dhe pretendimet për trafikim organesh që i paraprinë krijimit të mekanizmit të posaçëm. Ai ka thënë se personalisht nuk u kishte besuar këtyre pretendimeve dhe se për këtë kishte biseduar edhe me Hashim Thaçin.
“Fola me Thaçin dhe i thashë: të gjithë e dimë që kjo nuk është e vërtetë. Keni për t’u liruar”, ka rrëfyer ai për Klan News.
Sipas Boschit, pas rrëzimit të pretendimeve për trafikim organesh, institucionet e Kosovës duhej të kishin ndërmarrë hapa për ta ndalur vazhdimin e mekanizmit. Ai ka kritikuar si politikën evropiane, ashtu edhe institucionet e Kosovës për mënyrën se si është trajtuar çështja.
“Këta gjyqtarë dhe prokurorë janë të mirëpaguar dhe thanë: përse të mos vazhdojmë me punën tonë. Politikanët duhet t’i ndalonin. Ky është gabimi i Parlamentit të Kosovës që nuk i ndaluan, kishin mundësi, por tani është shumë vonë”, ka deklaruar Bosch.
Ai e ka cilësuar gjithashtu aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së si “qesharak”, duke kundërshtuar edhe mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar struktura e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Bosch ka argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të mirëfilltë hierarkike që do t’i lejonte udhëheqësit politikë të kontrollonin në mënyrë të drejtpërdrejtë veprimet në terren.
“Ne atëherë nuk dinim kujt t’i flisnim. Ka qenë e vështirë të komunikonin brenda UÇK-së ata në terren me ata që kanë qenë më lart. Thaçi dhe Krasniqi dënohen se kanë qenë udhëheqës dhe pretendohet se kanë dhënë urdhra”, ka thënë ish-ambasadori.
Ai ka pretenduar se krime mund të jenë kryer individualisht gjatë luftës, por ka kundërshtuar idenë se ato mund t’i atribuohen UÇK-së si strukturë apo udhëheqjes së saj.
Intervista e Boschit për Klan News vjen pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Të katërt u shpallën fajtorë për krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Bosch thotë se tashmë shpresën për ndryshimin e rezultatit e sheh te procedura e Apelit, ndërsa rrëfimi i tij rikthen në vëmendje një debat që e ka shoqëruar Specialen që nga themelimi: sa hapësirë kishte Kosova për të refuzuar krijimin e saj përballë presionit të fuqishëm ndërkombëtar.











