VLEN-i ka reaguar ndaj deklaratave të Ali Ahmetit për Artan Grubin, duke e akuzuar kreun e BDI-së se po e përdor rastin e tij për përfitime politike.
Sipas VLEN-it, përpjekjet e Ahmetit për ta mbrojtur publikisht Grubin mund të kenë efekt të kundërt. Në reagim thuhet se edhe më parë Ahmeti kishte shprehur bindjen se ndaj Grubit nuk do të kishte aktakuzë dhe se ai do të lirohej, ndërsa, sipas partisë, paraburgimi iu vazhdua dhe nisi procedura kundër tij.
VLEN-i ngre pyetjen nëse Ahmeti druhet nga ajo që Grubi mund të thotë, apo nëse po e sakrifikon atë për t’i hapur vetes rrugën drejt rikthimit në pushtet.
Partia pretendon gjithashtu se deklaratat publike të Ahmetit për pafajësinë e Grubit përbëjnë presion politik ndaj gjykatës dhe mund të sjellin efekt të kundërt. Në reagim përmendet edhe fakti që Grubi është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara.
Në fund, VLEN-i e akuzon Ahmetin se prej dy vitesh u premton mbështetësve të BDI-së rikthimin në Qeveri pa e realizuar atë. Sipas partisë, ai po përpiqet ta kthejë edhe rastin e Grubit në një bast politik që mund të ndikojë në të ardhmen e të dyve.











