Trendy

Ish-luftëtari i UÇK-së, Fadil Pushkolli, arrestohet në Maqedoni me urdhër nga Serbia

Para 2 orë

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fadil Pushkolli, ka njoftuar se është arrestuar në pikën kufitare Bllacë–Elez Han, në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Sipas Pushkollit, arrestimi është bërë bazuar në një urdhër të lëshuar nga autoritetet serbe.

“Dëshiroj t’ju njoftoj se jam arrestuar në pikën kufitare Bllacë–Elez Han, në territorin e Maqedonisë së Veriut, bazuar në një urdhër të lëshuar nga autoritetet serbe”, ka shkruar ai.

Pushkolli ka thënë se, sipas informacionit që i është dhënë, arrestimi lidhet me të kaluarën e tij si pjesëtar i UÇK-së.

“Arrestimi, sipas informacionit të dhënë, lidhet me faktin se jam pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”, thuhet në njoftimin e tij.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të ndërmarrin masa për trajtimin e rastit dhe mbrojtjen e të drejtave të tij.

“Kërkoj që institucionet e Republikës së Kosovës të marrin menjëherë të gjitha masat e nevojshme për trajtimin e këtij rasti dhe mbrojtjen e të drejtave të mia”, ka deklaruar Pushkolli. /Insajderi.org/

Trending