Në vazhdën e tubimeve të bashkatdhetarëve nëpër botë për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, një i tillë është thirrur edhe në Londër.
Sipas një njoftimi nga Këshilli Organizativ, thuhet se zhvillimet e 16 shtatorit kanë sjellë shqetësim dhe zhgënjim të madh te shumë shqiptarë, veçanërisht kur bëhet fjalë për UÇK-në dhe ish-krerët e saj.
“Në këto momente kemi nevojë për solidaritet, bashkim dhe respekt ndaj njëri-tjetrit. Tri shkronjat – UÇK – mbajnë për shumë shqiptarë kujtimin e një periudhe të rëndë të historisë sonë, të sakrificës së brezave dhe të atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Kjo histori dhe kujtimi i të rënëve meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe respekt”.
“Pavarësisht se ku jetojmë – në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginë apo në mërgatë – na bashkojnë gjuha, historia, familjet tona dhe përgjegjësia për të ruajtur kujtimin e brezave që sakrifikuan aq shumë”.
“Sot është koha të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit, me maturi dhe dinjitet, duke kërkuar drejtësi, paanshmëri dhe respektim të plotë të të drejtave të secilit. Me këtë frymë solidariteti, ju ftojmë t’i bashkoheni protestës me moton: ‘JO NË EMRIN TIM!’”, u tha mes tjerash në njoftim.
Tubimi paqësor është thirrur për të dielën (27.09) nga ora 11:30-13:30 në lokacionin Richmond Terrace.











