Bashkimi Evropian po përgatit ndryshime të mëdha në rregullimin e produkteve të duhanit dhe nikotinës, ndërsa rregullat e reja mund të sjellin rritje të çmimeve për disa produkte nga viti 2030, përcjell tetova1
Komisioni Evropian ka nisur në vitin 2026 rishikimin e rregullave aktuale, me synimin që ato të përfshijnë edhe produktet që vitet e fundit janë bërë gjithnjë e më të pranishme në treg, si cigaret elektronike, vape-t, duhani i ngrohur dhe qeset e nikotinës.
Vëmendje e veçantë i kushtohet qeseve të nikotinës, të cilat nuk përmbajnë duhan, por kanë nikotinë dhe përdoren në gojë. Meqë ato nuk mbulohen plotësisht nga rregullat aktuale të BE-së, vendet anëtare kanë qasje të ndryshme për shitjen, përbërjen, reklamimin dhe taksimin e tyre.
BE-ja po shqyrton gjithashtu kufizime më të rrepta për aromat e cigareve elektronike dhe duhanit të ngrohur, si dhe për vape-t njëpërdorimëshe dhe qeset e nikotinës. Në plan janë edhe kërkesa shtesë për paketimin, etiketimin dhe reklamimin në internet.
Paralelisht me ndryshimet rregullatore, Komisioni Evropian propozon edhe akciza më të larta për disa produkte me nikotinë.
Sipas propozimit, nga viti 2030 qeset e nikotinës mund të tatohen me të paktën 25% të çmimit me pakicë ose 71,50 euro për kilogram. Nga viti 2032, akciza e propozuar do të rritej në 50% të çmimit me pakicë ose 143 euro për kilogram.
Propozimi parashikon gjithashtu akciza minimale për lëngjet e cigareve elektronike, ndërsa niveli i taksës do të varet nga përqendrimi i nikotinës.
Megjithatë, këto masa ende nuk janë përfundimtare. Ato duhet të kalojnë nëpër procedurën legjislative të BE-së përpara se të mund të hyjnë në fuqi.
BE-ja synon që deri në vitin 2040 përdorimi i duhanit të bjerë nën 5% të popullsisë. Sipas të dhënave të Qendrës së Përbashkët Kërkimore të BE-së, rreth 24% e të rriturve në Union pinë duhan, krahasuar me 28% në vitin 2012.
Ndërsa përdorimi i cigareve tradicionale po bie gradualisht, përdorimi i cigareve elektronike dhe produkteve të tjera me nikotinë është në rritje. Për këtë arsye, Brukseli synon të vendosë rregulla të përbashkëta për të gjithë tregun e produkteve të duhanit dhe nikotinës./tetova1.mk











