Përfaqësuesi i VLEN-it, Amir Elezi, ka deklaruar në emisionin “Click Plus” në TV21 se VLEN është thellësisht i indinjuar me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish krerëve të UÇK-së.
“Qëndrimi i VLEN-it është se jemi thellë të indinjuar nga vendimi i Gjykatës së Hagës për ish krerët e UÇK-së. Vlerësojmë se është vendim i padrejtë, marrë parasysh se lufta e popullit shqiptar ka qenë luftë e rezistencës dhe çlirimtare”, tha Elezi.
Duke folur për protestën e mbajtur në Shkup, Elezi tha se sipas VLEN-it, organizimi kishte karakter politik dhe synime politike.
“U pa se është një organizim politik për qëllime politike, duke pasur parasysh se ne jemi në përkrahje të ish krerëve të UÇK-së që mbahen padrejtësisht në Hagë”, deklaroi ai.
Elezi kritikoi edhe kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, duke ngritur pretendime lidhur me rolin e tij në procesin e krijimit të Gjykatës Speciale në Kosovë.
*Misteri i dëshmisë së Ahmetit në zyrat e EULEX-it*
“Duhet të dimë që disa nga eksponentët që u panë në protestë, sidomos Ali Ahmeti ka qenë ndër të parët që ka lobuar të votohet Gjykata Speciale në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu, është misterioze pjesa ku ai ka dëshmuar për orë të tëra në zyrat e EULEX-it për nevojat e kësaj gjykate dhe në fund të jesh organizator për përfitime politike në kurriz të një fatkeqësie kombëtare që u ndodh ish krerëve të UÇK-së”, u shpreh Elezi.
Sipas tij, VLEN nuk do të bëhet pjesë e organizimeve që siç pretendon ai, shfrytëzojnë politikisht çështjen e ish krerëve të UÇK-së.
“Sigurisht nuk do të bëhemi pjesë e kësaj dhe i përkrahim të gjitha llojet e organizimit që shprehin revoltën dhe pakënaqësinë që e kemi edhe ne për vendimin e Gjykatës Speciale”, u shpreh Elezi.
Ai akuzoi gjithashtu opozitën se nuk ka një kauzë të qartë politike dhe se, sipas tij Ali Ahmeti po përpiqet të fitojë pikë politike përmes protestave.
“E shohim që opozita nuk ka një kauzë për të cilën lufton dhe në mungesë të kësaj, Ahmeti mundohet të fitojë pikë politike duke u spikatur në kësi lloj organizimesh. E dimë shumë mirë se Ahmeti është organizator i këtyre dhe mundohet të fitojë politikisht nga dhembja e popullit shqiptar dhe nga fatkeqësia ndaj ish krerëve të UÇK-së”, përfundoi Elezi.






