Një pako e ardhur nga Spanja në adresë të një shtetasi nga Tetova ka përfunduar në kontroll të detajuar në Doganën Postare, pasi shërbimet doganore kanë dyshuar për përmbajtjen e saj, përcjell TV21.
Brenda pakos, të mbyllur në disa qese hermetikisht të mbyllura, janë gjetur shtatë paketime me një materie të gjelbër. Pas aktivizimit të ekipeve operative dhe kontrollit me qen antidrogë, testimi ka konfirmuar praninë e THC-së.
Ekspertiza e urdhëruar nga prokurori publik ka përcaktuar se bëhej fjalë për rreth 700 gramë hashash, i cili është sekuestruar.
Sipas Drejtorisë së Doganave, marrësi, shtetasi me inicialet R.V., është ndaluar në momentin kur ka shkuar për të tërhequr dërgesën. Ndaj tij është paraqitur kallëzim penal për prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve.
“Lufta kundër krimit të rëndë është një nga prioritetet më të larta të Drejtorisë së Doganave dhe çdo përpjekje për prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve do të sanksionohet në mënyrën më të rreptë”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Rasti është zbuluar gjatë kontrolleve të dërgesave postare, ndërsa droga është dërguar për ekspertizë dhe më pas është sekuestruar.











