Trendy

Maqedonia, Greqia dhe Shqipëria nisën përgatitjet për nominimin e Prespës në Listën e Trashëgimisë së UNESCO-s

Para 2 orë

Ministrat e Kulturës të Maqedonisë së Veriut, Sedat Sulejmani, të Greqisë, Lina Mendoni, dhe të Shqipërisë, Blendi Gonxhe, nënshkruan sot një deklaratë për përgatitjen e përbashkët të nominimit të Rajonit ndërkufitar të Prespës në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Takimi trepalësh u mbajt në komunën greke të Prespës.

Sulejmani tha se rajoni i Prespës ka qenë gjithmonë një tërësi natyrore dhe historike që i lidh të tri vendet, prandaj edhe përgjegjësia për ruajtjen e tij është e përbashkët dhe kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm.

“Për mua, rëndësia e këtij angazhimi qëndron në menaxhimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm të Prespës, me përfitime konkrete për komunitetet lokale. Duke bashkuar njohuritë, përvojat dhe vullnetin tonë të mirë, mund të ndërtojmë një bashkëpunim të qëndrueshëm që mbron trashëgiminë dhe krijon mundësi për zhvillimin e rajonit”, deklaroi ministri Sedat Sulejmani.

Në deklaratën e përbashkët, të tre ministrat vlerësuan se Rajoni i Prespës përfaqëson një peizazh unik natyror dhe kulturor me vlerë të jashtëzakonshme, si dhe një tërësi të ndërlidhur. Ata shprehën bindjen se përpjekjet e përbashkëta për mbrojtjen dhe njohjen e Prespës mund të shërbejnë si shembull i rëndësishëm i bashkëpunimit konstruktiv rajonal dhe i rolit që trashëgimia e përbashkët kulturore dhe natyrore mund të luajë si urë lidhëse mes vendeve dhe popujve fqinjë.

Përveç ministrave përgjegjës të tri shteteve, në takim morën pjesë edhe ambasadori i BE-së në vend, Mihalis Rokas, shefi i zyrës së UNESCO-s në Sarajevë, Sinisha Sheshum, koordinatorja e përhershme e OKB-së në Maqedoninë e Veriut, Rita Kolumbia, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe pushteteve lokale nga të tri vendet.

“Bashkimi Evropian ka vendosur që, përveç mbështetjes politike, të financojë studimet e para përkatëse për paraqitjen e kandidaturës, të cilat pritet të përfundojnë jo më vonë se brenda një viti. Bashkimi Evropian mbështet përpjekjet e përbashkëta të tri vendeve fqinje për mbrojtjen dhe promovimin e pasurive ekologjike dhe kulturore që zotërojnë në rajonin e Prespës”, deklaroi ambasadori i BE-së në Maqedoninë e Veriut.

Trending