Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e grupit terrorist në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në vitin 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri policor, heroi Afrim Bunjaku, është shfaqur në tubimin parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Kragujevc.
Ekipi i N1 e filmoi atë para sallës “Jezero”, pranë Danillo Vuçiqit, djalit të Alleksandar Vuçiqit.
Në pamjet e publikuara nga N1, Radoiçiq shihet në shoqërinë e Danillo Vuçiqit para sallës ku u mbajt tubimi i SNS-së. N1 raportoi më herët se Danillo Vuçiqi kishte ardhur në tubim i shoqëruar nga disa automjete me drita sinjalizuese të ndezura.
Radoiçiqi është në kërkim nga Interpoli për shkak të sulmit terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023. Interpoli lëshoi urdhërarrest për të dhe 11 persona të tjerë në dhjetor të po atij viti.











