Trendy

VLEN kërkon zbardhjen e rastit të dy të rinjve nga Saraji: Dhuna nuk mund të arsyetohet me uniformë

Para 5 orë

VLEN ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me rastin e dy të rinjve nga Saraji, të cilët kanë denoncuar keqtrajtim nga ana e zyrtarëve policorë, duke kërkuar hetim të paanshëm, transparent dhe përgjegjësi ligjore në rast se konstatohen shkelje.

Nga VLEN theksojnë se çdo qytetar meriton trajtim dinjitoz, mbrojtje dhe drejtësi, ndërsa nënvizojnë se asnjë tejkalim i kompetencave dhe asnjë shkelje e ligjit nuk duhet të mbetet pa përgjigje.

 

“Qëndrimi ynë është i qartë: dhuna nuk mund të arsyetohet me uniformë, ndërsa çdo tejkalim i kompetencave dhe çdo shkelje e ligjit duhet të marrë përgjigjen e merituar”, thuhet në reagimin e VLEN.

 

VLEN bën të ditur se është interesuar në mënyrë aktive për rastin dhe e ka ndjekur nga afër zhvillimin e tij. Ajo vlerëson se rasti është vënë nën hetim nga mekanizmat përkatës të kontrollit të brendshëm, duke kërkuar që procedura të zhvillohet me seriozitet, paanshmëri dhe transparencë deri në sqarimin e plotë të rrethanave.

 

VLEN i ka bërë thirrje edhe Prokurorisë që, në bazë të provave dhe gjetjeve të hetimit, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore.

 

Në reagim, partia ka kritikuar përpjekjet e opozitës për t’i dhënë rastit ngjyrim nacionalist dhe për ta shfrytëzuar atë për nxitjen e tensioneve ndëretnike. Sipas VLEN-it, përgjegjësia duhet të përcaktohet mbi bazën e fakteve dhe veprimeve konkrete të secilit person, e jo mbi përkatësinë etnike.

 

“Të drejtat e qytetarëve, dinjiteti njerëzor dhe zbatimi i ligjit nuk kanë përkatësi etnike”, theksohet në reagim.

 

Në fund, partia VLEN nënvizon se rasti nuk duhet të shndërrohet në objekt të betejave politike, por të trajtohet si çështje serioze që kërkon përgjegjësi institucionale dhe besim në drejtësi.

Trending