Drejtoria e Doganave ka parandaluar kontrabandimin e shtatë zvarranikëve në pikën kufitare të Bogorodicës, në mesin e të cilëve katër pitonë dhe një gjarpër helmues. Ata u zbuluan gjatë kontrollit të një automjeti të drejtuar nga një shtetas i Kosovës, në bashkëpunim me policinë.
Sipas Doganës, zvarranikët ishin fshehur në kuti dhe shalle, nën ulësen e automjetit, me qëllim futjen e tyre të paligjshme në vend. Shumica e tyre i përkasin specieve të mbrojtura, ndërsa në mesin e tyre ishte edhe gjarpri helmues i llojit “Baron Sneake”.
Zvarranikët do t’u dorëzohen institucioneve kompetente, ndërsa ndaj personit është nisur procedurë përkatëse. Dogana rikujton se importimi i specieve të mbrojtura kërkon leje të posaçme, në përputhje me Konventën për Tregtinë Ndërkombëtare të Specieve të Rrezikuara të Faunës dhe Florës së Egër.











