Bashkimi Evropian i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të tërheqin sanksionet e fundit të paralajmëruara ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), duke riafirmuar mbështetjen për pavarësinë e institucionit dhe kundërshtuar çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi të.
Në një deklaratë të publikuar të shtunën, shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, bëri thirrje në emër të bllokut që administrata amerikane të anulojë masat e fundit kundër gjykatës me seli në Hagë.
“Ne i bëjmë thirrje SHBA-së që të tërheqë këto masa të fundit”,deklaroi Kallas, duke theksuar se BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare.
Brukseli shprehu gjithashtu keqardhjen për vendimin e Uashingtonit, ndërsa e cilësoi të papranueshëm çdo kërcënim apo sulm ndaj gjykatës, zyrtarëve të saj, personelit dhe personave që bashkëpunojnë me të.
Megjithatë, BE-ja vuri në dukje gatishmërinë e SHBA-së për të diskutuar shqetësimet e saj me shtetet palë të Statutit të Romës. Në deklaratë u përmend edhe vendimi amerikan për të shtyrë hyrjen në fuqi të masave të fundit.
Brukseli mbron pavarësinë e gjykatës
Sipas Kallas, Gjykata Penale Ndërkombëtare luan një rol vendimtar në garantimin e përgjegjësisë për krimet më të rënda që prekin komunitetin ndërkombëtar, përfshirë gjenocidin, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.
BE-ja theksoi se GJPN-ja nuk synon të godasë shtetet sovrane, por ndërhyn në përputhje me parimin e plotësueshmërisë, kur autoritetet kombëtare nuk janë të gatshme ose nuk kanë mundësi të kryejnë hetime dhe ndjekje penale efektive për krimet që bien në juridiksionin e saj.
“Gjykata Penale Ndërkombëtare duhet të jetë në gjendje të veprojë në mënyrë të pavarur, e lirë nga presioni ose ndërhyrjet e jashtme”, thuhet në deklaratën e bllokut evropian.
Kallas siguroi se BE-ja do të vijojë mbështetjen politike dhe institucionale për gjykatën, stafin e saj dhe personat që bashkëpunojnë me të. Ajo nënvizoi gjithashtu gatishmërinë e Brukselit për të ndërmarrë masat e nevojshme për të garantuar funksionimin efektiv të institucionit.
Rubio kërcënon me masa të reja ndaj GJPN-së
Reagimi i Bashkimit Evropian erdhi pas njoftimit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për sanksione të reja kundër Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Rubio paralajmëroi se SHBA-ja do të synojë ta ndalë veprimtarinë e gjykatës nëse ajo nuk heq dorë nga ato që Uashingtoni i konsideron “kërcënime”.
Përplasja mes SHBA-së dhe GJPN-së rihap debatin mbi pavarësinë e drejtësisë ndërkombëtare dhe kufijtë e presionit politik ndaj institucioneve që hetojnë dhe ndjekin penalisht individë për krime të rënda.
Me seli në Hagë, Gjykata Penale Ndërkombëtare është një institucion i pavarur që ka mandat të ndjekë penalisht individë të dyshuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krimin e agresionit.











